Aktualitet

Në 2021-shin, të kemi tre lagje të reja në Tiranë, Durrës dhe Kurbin

Në 2021-shin, të kemi tre lagje të reja në Tiranë,

Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, kryeministri Edi Rama paraqiti idenë e një projekti për ndërtimin e tre lagjeve të reja në Tiranë, Durrës dhe Kurbin, vendet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai u shpreh se ‘do të bëhen ndërtime që do të jenë shembullore do të vendosin një standard’. Kreu i qeverisë tha se objektivi është që këto tre lagje të arrihen brenda vitit 2021.

Pjesë nga deklarata: 

Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja dhe objektivi im është që të arrijmë në një program rindërtimi, që rezultati të jetë krenari kombëtare. Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani, që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë për gjithë jetën. Por të ndërtojmë në Durrës një lagje komplet të re, me infrastrukturë, kanalizime, ujësjellës, kopsht, çerdhe, etj.

Në Tiranë kemi në skenar për të ndërtuar një lagje të re dhe një tjetri për të ndërtuar dy më të vogla, do ta shtrojmë këtë çështje në një konsultë që po përgatit Ministria e Kulturës me arkitektë të huaj të famshëm me kontribut.

Edhe në Kurbin do të ndërtojmë një lagje të vogël të re. Kemi një objektiv për 10 mijë apartamente, sepse mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë të prekur, por edhe ata me probleme sociale, por edhe të mos bëjmë gabim, që ndërtimi i lagjeve të reja krijoi vatra njerëzish të ndarë nga pjesa tjetër dhe krijoi tensione të vijueshme.

Duhet ta shohim këtë si një domosdoshmëri që në fund të 2020, në Vitin e Ri 2021 ne të kemi jo projekte, por këto lagje të reja që të flasin vetë. Këto do të jenë lagjet e Rilindjes në kuptimin më konkret të fjalës pas situatës së vdekjes dhe Traumës kombëtare.

Ku mund të ndërtohen lagjet e reja në Tiranë

Një lagje e vetme do të ishte pranë Kasharit në hapësirën kur është hapësira e një zone të re ekonomike. Dy lagje do të ishin një në Kombinat tjetra te Uzina e Autotraktorëve në Shkozë./ Tiranapost.al