• Shqip
  • English
  • E martë, 16 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Kryesore Politikë Të gjitha

    Ndryshohet kodi i procedurës penale, a do ta bëjë bashkëpunimi me “spiunët” drejtësinë?


    Neni më i rëndësishëm i paketës së ndryshimeve është ai që përjashton nga dënimi të pandehurit që akuzohen për korrupsion në rast se këta pranojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë duke treguar të gjitha rastet korruptive dhe abuzive të kolegëve të tyre.

    Sot hyjnë zyrtarisht në fuqi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ku parashikohen rregulla të reja për dëshmitarët, përgjimet, hetimin, kontrollin e banesave dhe ndëshkimin e zyrtarëve të administratës.

    Ndoshta neni më i rëndësishëm i paketës së ndryshimeve është ai që përjashton nga dënimi të pandehurit që akuzohen për korrupsion në rast se këta pranojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë duke treguar të gjitha rastet korruptive dhe abuzive të kolegëve të tyre. Gjithashtu, këtyre bashkëpunëtorëve të drejtësisë u sigurohet mbrojtje e posaçme nga shteti për ta dhe familjarët e tyre.

    Konkretisht ndryshime të rëndësishme janë bërë në pikën 3 dhe 4 të nenit 37/a ku thuhet:

    3.Bashkëpunëtori i drejtësisë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje të posaçme për vete dhe për familjen e tij, sipas legjislacionit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

    4.Në rastet e bashkëpunimit me drejtësinë, prokurori i kërkon gjykatës uljen e masës së dënimit ose përjashtimin e bashkëpunëtorit të drejtësisë nga dënimi. Kur marrëveshja lidhet në fazën e ekzekutimit të vendimit, kompetenca për të shqyrtuar kërkesën e prokurorit i përket gjykatës që ka dhënë vendimin. Ulja e masës së dënimit ose përjashtimi prej tij çmohen në përpjesëtim me kontributin e dhënë nga bashkëpunëtori i drejtësisë për faktet dhe rrethanat që tregohen në paragrafin 2 të këtij neni. Zbatohen rregullimet e paragrafit 7, të nenit 28, të Kodit Penal, si dhe rregullat e paragrafit 1, të nenit 480, të këtij Kodi.

    Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, drejtësia e re shqiptare kërkon që përmes bashkëpunimit me të penduarit të dënojë abuzuesit më të mëdhenj me fondet publike. Kjo praktikë pritet të hapë një faqe të re në dënimin e krimeve që lidhen me korrupsionin, në kushtet kur hetimet do të bëhen nga Byroja e Hetimit së bashku me Prokurorinë Speciale./Tiranapost.al