• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Sa nje kafe nga Iva Të gjitha TIP top

    Ndërtoje dhe do të vijnë… edhe në Urën Vajgurore, madje


    Nga Iva Tiço/ “Build it and they will come” është ngulitur në mendjen e të gjithëve me filmin “Field of Dreams”, fusha e ëndrrave, ku personazhi i luajtur nga Kevin Kostner vendos që përpara të korrave të sakrifikojë ekonominë e familjes e të ndërtojë një fushë futbolli, ku do të ktheheshin për të luajtur lojtarët e viteve ’20, vetëm sepse kishte dëgjuar një zë në mes të fushës me misër: “Ndërtoje dhe ata do të vijnë”… Një fushë ëndrrash, ku zërat nga përtej apo lojtarët dëgjohen dhe shihen vetëm nga ata që besojnë, por që në fund kthehet në vendin ku karvane njerëzish janë duke mbërritur.

    “Ndërtoje dhe do të vijnë” më tepër sesa citim nga Bibla, si përgjigjja që Zoti i ktheu Noes, se ku do t’i gjente kafshët që do të fuste në arkën që duhej të ndërtohej, u fut në fjalorin urban nga Hollivudi, duke u kthyer në një moto për gjithë vizionarët, ëndërrimtarët, për ata që shohin një dritë ku të tjerët shohin veç errësirë.

    “Ndërtoje dhe do të vijnë”, më ndërmendet edhe sot në mëngjes, teksa shoh një fytyrë të re në ekranin e Top Channel: kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj, që me një zë të emocionuar tregon në “Wake Up” se si të parat aparate fotografike turistësh janë shkrepur në qytezën e saj të vogël, pak ditë më parë, sepse tre murale në fasada pallatesh kanë arritur të tërheqin vëmendjen edhe të shtypit ndërkombëtar. Qyteza e vogël, me emrin që përkthyer në anglisht, turistëve mund t’u duket mëse qesharak (Oil Bridge :P), që sipas kryetares së bashkisë ka rrotull edhe pika të rëndësishme arkeologjike, një nga vendbanimet e shumta të ndërtuara në kohën e komunizmit dhe e lënë në harresë të plotë në 28 vitet e fundit, ka mundur të bëhet atraktive dhe siç thotë në studio zonja Memaj, synon të bëhet pikë ndalese për gjithë vizitorët që shkojnë drejt Beratit. Thënë prej saj duket një plan i bukur, një fllad optimizmi pas zallamahisë në botën virtuale, që edhe ndaj lajmit se muralet e Urës Vajgurore ishin shpallur ndër më të bukurat në botë, iu përgjigj me refrenin e përditshëm: “Ç‘na duhen muralet, njerëzit nuk kanë bukë”. Një fjali kjo, që shihet rëndom pas çdo postimi që shkon përmbi nevojat bazike të mbijetesës (për fat të keq jemi ende tek buka!) dhe që në mënyrë më të sofistikuar përdoret edhe nga ata që buka nuk iu mungon, por që ndërhyrjet urbane nëpër qytete i quajnë thjesht fasadë. Në të shkuarën mund të kem menduar dhe unë njësoj, kur kam parë ndonjë video të “Rilindjes urbane”, postuar nga Rama në Facebook. Eshtë më e thjeshtë të thuash “e ç’i duhet pedonalja Urës Vajgurore apo Memaliajt e Roskovecit”, sesa të mendosh që me gjithë hallet që ka ky vend, qytetet, sado të vogla qofshin, duhet të duken si qytete dhe jo si grumbullime rastësore pikash banimi… Dhe se nga diku kjo punë do duhej të fillonte. Më lindi kjo hije dyshimi kur pashë se si kishte ndryshuar zona tashmë “pedonale” e Fierit, qyteti ku jam rritur dhe se si me qindra njerëz në buzëmbrëmje i kënaqeshin hapësirave të ndryshuara të qytetit. Apo m’u kujtua edhe dy javë më parë, kur për herë të parë shkela në Belsh dhe e pashë me sytë e turistes: nuk di si ka qenë më parë, por qyteti i pasqyruar mbi liqen më ngjau si një Zvicër e vogël, një qytezë me pamje dinjitoze për të zhvilluar agroturizëm, me vizitorë shqiptarë e të huaj. Dhe mbi të gjitha, ia përsëris vetes si mantra, që të mos nxehem pse po rri dhjetë minuta më shumë në trafik në makinën time me ajër të kondicionuar dhe muzikë, ndërkohë që me mijëra të tjerë, që ndoshta s’e kanë luksin e makinës e nuk kanë ku shkojnë tjetër, i gëzohen qendrës së Tiranës pa makina. Qytetet janë për të gjithë, për ata që kanë dhe për ata që s’kanë, të gjithë duhet të bëjmë lëshimet tona për të jetuar sa më mirë në to. Dhe pak dozë optimizmi na bën mirë të gjithëve. Si kryetarja e bashkisë së qytezës së vogël me emrin qesharak, Ura Vajgurore, që përtej citimit nga Bibla apo “Fusha e ëndrrave” qoftë, ndërtoi diçka. Dhe njerëzit erdhën.

    (Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore sot në Wake Up)

    *Ky post është publikuar në Tiranapost.al