Ekonomi Kryesore Te gjitha

Ndërtimi po rrit ekonominë, por financimet janë të dyshimta


Ekonomia shqiptare po i hedh sytë sërish nga sektori i ndërtimit. Pas disa tentativash të dështuara të bizneseve për t’u diversifikuar në bujqësi apo turizëm, ndërtimi si një sektor me kthim të shpejtë dhe thuajse të sigurt po tërheq sërish investimet. Edhe rritja 4,06% e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë tremujorit ishte falë sektorit të ndërtimit.

Por nga vijnë këto para? Në një artikull të sajën, revista “Monitor” shkruan se bankat nuk kanë rritur kreditimin për sektorin e ndërtimit, ndaj me shumë gjasa ky sektor po financohet nga burime informale.

Tre vitet e fundit është rritur dukshëm numri i pasurive të paluajtshme që po financohen nga burime të panjohura. Vetëm gjatë viteve 2015-2016 janë mbi 700 blerje në banesa e toka, të cilat e kanë të panjohur burimin e financimit sipas të dhënave nga Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave (DPPP). Sipas të dhënave, rastet janë shtuar dukshëm, duke marrë në konsideratë se në vitin 2013 ishin evidentuar vetëm 29 blerje pasurish me burime të panjohura. DPPP sqaron se zakonisht rastet raportohen se kanë marrë financime në formën e huave jobankare, por burimi i tyre është i dyshimtë. Statistikat në Shqipëri kanë të dhëna të vakëta në lidhje me zbulimin e korrupsionit nëpërmjet hetimit të pasurisë, teksa kjo praktikë në vendet e zhvilluara është elementi kryesor që çon në zbulimin e burimeve të paligjshme të financimit të ekonomisë.

Burimet nga Banka e Shqipërisë pohojnë se sektori i ndërtimit nuk po financohet me kredi bankare. Në këndvështrimin e sektorit bankar, kjo mund të shihet edhe si një zhvillim pozitiv, pasi flluska që mund të përfshijë sektorin nuk do të prekë bankat. Sektori i ndërtimit, bashkë me biznesin e lojërave të fatit, historikisht janë etiketuar si lavatriçja e pastrimit të parave të pista. Ndërtimi shihet si sektori me kthimin më të shpejtë të investimit dhe një metode shumë efikase për pastrimin e parë. Ndërtuesit me përvojë e shpjegojnë skemën në këtë mënyrë. Poseduesit e parave të paligjshme bëhen bashkaksionerë me ndërtues që kanë përvojë në sektor, por nuk kanë likuiditete të mjaftueshme.

Por ndërkohë, sido që të jetë skema e financimit, ekspertët thonë se rritja ekonomike që ka në bazë ndërtimin është e rrezikshme. Ekonomisti Selami Xhepa ka thënë për “Monitor” se riorientimi i modelit ekonomik drejt sektorit të ndërtimit është me rrezik. “Unë jam i sigurt se këto investime janë pranë greminës, por nuk jam i sigurt se sa larg jemi”. Xhepa thotë se ekonomia e vendit ka hyrë në një fazë ku kursimet e shqiptarëve po krijohen në mënyrë të limituar, ndaj mënyrat për investimin e tyre duhen studiuar me shumë kujdes. Ai shpjegon se, në të vërtetë, ndërtimi në periudhë afatshkurtër ka kthim të shpejtë të investimit dhe fitim të lartë, por në periudhë afatgjatë këto investime nuk janë produktive, d.m.th nuk gjenerojnë punësim dhe të ardhura. Ai thotë se politikat qeveritare duhet të orientojnë fondet e biznesit drejt projekteve fizibël, sidomos në teknologji dhe në kualifikimin e forcës së punës./Tiranapost.al

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *