Aktualitet

Ndërron jetë përkthyesi i shquar i letërsisë shqipe në gjermanisht

Esencë editori/ Lanksch vdiq sot pas një sëmundje të gjatë. Ai ka përkthyer në gjermanisht poezitë e Martin Camajt, Ali Podrimjes dhe një roman të Kasëm Trebeshinës. Lanksch ishte një pjesëmarrës i shkathtë në diskursin kulturor të hapësirës shqiptare.
Ndërron jetë përkthyesi i shquar i letërsisë shqipe

Nga Enver ROBELLI

Hans-Joachim Lanksch u lind më 1943 në Braunschweig. Ai studioi për filologjinë sllave dhe ballkanike, etnologji dhe albanologji. Prej dekadash jetonte në München, ku edhe vdiq sot. Lajmin e bëri të ditur profesor Bardhyl Demiraj, i cili ka drejtuar me vite katedrën e Albanologjisë në München. Në kryeqytetin e landit të Bavarisë Lanksch u njoftua me profesorin e albanologjisë dhe poetin Martin Camaj, përmes të cilit zbuloi një dashuri të pashuar për gjuhën shqipe dhe sidomos për dialektin gegë. Ishte ndër mbrojtësit më këmbëngulës të këtij dialekti në debatet ndërshqiptare për gjuhën shqipe.

Lankschit i takon një meritë e madhe për përkthimin e shumë poezive të Martin Camajt në gjermanisht. Krahas Camajt ai përktheu dhe shumë autorë të tjerë shqiptarë veçanërisht nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe nga diaspora, mes tyre: Kasëm Trebeshina, Gonxhe Bojaxhiu (Nënë Tereza), Azem Shkreli, Ali Porimja, Lindita Arapi, Jonila Godole. Ai ka botuar nëpër revista dhe antologji përkthime poezish nga Lasgush Poradecit, Zef Zorbës, Mimoza Ahmetit, Luljeta Lleshanakut, Agron Tufës, Arian Lekës, Rrahman Dedajt, Eqrem Bashës dhe të tjerë dhe fragmente në prozë nga Elvira Dones, Anton Pashku dhe Ridvan Dibra.

Hans-Joachim Lanksch punoi si përkthyes nga shqipja, sllovenishtja, kroatishtja dhe serbishtja dhe shkroi për letërsinë e gjuhën shqipe nëpër gazeta dhe revista shqiptare. Për përkthimet e tij nga shqipja ai është shpërblyer me bursën e përkthimeve të qytetit të Münchenit, çmimin «Nikolaus Lenau» të korporatës së artistëve në Esslingen, çmimin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë «Pena e Argjendtë».

Në njërën nga intervistat e fundit, që u botua nga portali Kultplus, Lanksch tregoi se në studimet e sllavistikës kishte hasur kulturën patriarkale të Malit të Zi, «ku më tërhoqi dhe mbijetesa e saj në anën shqiptare. E dyta ishte njohja me poezinë e Martin Camajt që më fascinonte tej mase». /Tiranapost.al/