• Shqip
  • English
  • E martë, 10 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Art & Kulturë Të gjitha

    Ndahen çmimet. Shpallet autori më i mirë i 2019-s


    Autori më i mirë këtij viti është Besnik Mustafaj, me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”. Çmimet u ndanë sot në ditën e parafundit të “Panairit të Librit”, ndërsa Mustafaj mori atë më të rëndësishmin me motivacionin:

    “Për përshkrimin plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve; ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare”.

    Përkthyesi më i mirë i vitit 2019 u shpall Korab Hoxha për përkthimin e vëllimit me poezi, ese dhe proza të shkurtra të shkrimtares ruse Marina Cvetajeva, “Tetori në vagon”, me motivacionin:

    “Forca e mrekullueshme e mesazheve poetike dhe filozofike të njërit prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë botërore të shekullit XX, është përcjellë në mënyrë mjeshtërore dhe me një shqipe të pasur, pa humbje në origjinalitetin dhe bukurinë e vargut”.

    Autori më i mirë i prozës memorialistike u shpall Lekë Tasi me librin “Grabjani rrëzë kodrave”, me motivacionin:

    “Për sensibilitetin dhe mesazhin e prozës së tij në përshkrimin plot vërtetësi tronditëse të ngjarjeve dhe njerëzve, përmes shquarjes së njerëzores nën terrin e diktaturës”.

    Ndërsa çmimi i katërt, “Çmimi i Ambasadës Franceze” për përkthimin më cilësor, iu dha përkthimit të librit të Milan Kunderës, “LEHTËSIA E PADURUESHME E QENIES”, botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, me motivacionin:

    “Për promovimin e letërsisë më të mirë bashkëkohore franceze, përmes sjelljes në një shqipe të pastër e të thellë të librit më të rëndësishëm të Kunderës, me karakter sa universal aq edhe historik.

    Në këtë përkthim, thjeshtësia ngrihet në abstraksion dhe interpretimi i tekstit si çelës i suksesit të përkthimit të mirë, është arritur maksimalisht. Me këtë rast, lexuesit shqiptarë mund ta shijojnë përkthimin po aq sa edhe origjinalin.”/ Tiranapost.al

    Viti i kthesës së madhe në Panairin e Librit: Më në fund!

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post