Aktualitet

Nafta, trafiku i armëve dhe arsye të tjera të luftës në Siri

Nafta, trafiku i armëve dhe arsye të tjera të luftës në

Të mërkurën, me 16 Tetor në orën 4 të pasdites, qiejt e Ras-al-Ayn dhe Tal Abyad në verilindje të Sirisë u nxinë nga tymi i bombardimeve të njëpasnjëshme të forcave ushtarake turke. Mijëra banorë morrën arratinë nga frika e sulmeve.

Ofensiva turke, nisi pasi presidentit amerikan Donald Trump urdhëroi tërheqjen e trupave nga këto dy qytete në kufi me Turqinë duke i lënë Recep Tayyip Erdogan një rrugë të lirë për të pushtuar verilindjen e sirisë që kontrollohej nga kurdët.

Ankaraja i cilëson këta të fundit si terroristë. Janë pikërisht të njëjtët të cilët u bënë aleatë të Amerikës gjatë luftës së saj kundër ISIS në Siri. 11.000 luftëtarë kurdë humbën jetën gjatë kësaj lufte. Partneriteti amerikan me kurdët e Sirisë nisi gjatë administratës së Barack Obamës dhe u intensifikua gjatë administratës së Donald Trump, i cili gjithashtu urdhëroi armatosjen e tyre.

Kjo aleancë u nxit falë domosdoshmërisë dhe dëshpërimit sepse siç thuhet rëndom "armiku i armikut tim është miku im." Kjo aleancë e vuri shumë në siklet Turqinë, e cila Kurdët i sheh si një kërcënim serioz ndaj ekzistencës së saj. Për më tepër, shumë ekspertë e cilësonin aleancën SHBA-Kurdët e Sirisë si një bombë me sahat e cila shpërtheu fiks kur Donald Trump telefonoi Recep Tayyip Erdoganin. Ofensiva turke në fakt ishte e parashikueshme për shkak të kompleksitetit të situatës në Siri.

Në këtë artikull të Tiranapost do të mësoni  qartë dhe saktë se çfarë po ndodh në Siri.

Kush Janë Kurdët?

Kurdët janë një grup etnik i shpërndarë në vende si Irani, Turqia, Iraku, Siria dhe Armenia. Kurdët konsiderohen si kombi më i madh i botës pa një shtet të mirëfilltë.

Popullësia kurde besohet të arrijë nga 25 në 40 milionë. Kurdët në Siri janë grupimi më i vogël i rreth 1.7 milionë banorëve. Kurdët janë përgjithësisht muslimanë por mes tyre ka edhe të krishterë. Kurdët përfunduan në këtë pikë pas marrëveshjes së vendeve që fituan Luftën e Parë Botërore dhe shpërbërjes së Perandorisë Otomane që i hapi rrugën themelimit të shtetit modern turk. Hartat dhe kufinjtë u ndryshuan dhe kurdët ngecën të shpërndarë në shumë vende pa një shtet të tyrin. Në Siri, kurdët u diskriminuan shumë. Atyre iu mohuan të drejtat bazë, madje dhe nënshtetësia jo vetëm nga presidenti Bashar al-Assad por edhe nga babai i tij Hafez.

Cila Është Marrëdhënia Mes Kurdëve Dhe Turqisë?

Në vitin 2011, kurdët e Sirisë, të nxitur nga ato të Turqisë, themeluan Partinë Kurde Të Bashkimit Demokrat. Kjo parti, forcoi bashkëpunimin me Partinë Punëtore të Kurdistanit (PKK) në Turqi, e cila në vetvete nuk ka reshtur me ofensivën e saj brenda Turqisë.

Kjo e fundit, ka ndaluar përdorimin e gjuhës kurde dhe të fjalëve "Kurdë" dhe "Kurdistan" në të gjithë territorin e saj. Që nga viti 1984, konflikti mes Turqisë dhe PKK-së i ka marrë jetën mbi 40,000 vetëve.

Kjo është arsyeja përse Ankaraja dëshiron të shkatërrojë këtë aleancë një herë e mirë.

Cili Është Qëllimi i Ofensivës Turke?

Turqia, prej kohësh ka kërkuar të ndërmarrë një ofensivë të tillë në territorin sirian të kontrolluar nga kurdët. Synimi i saj fillestar ka qenë krijimi një zone të sigurt 32 km larg kufirit sirian ku të zhvendosë 3.6 milionë refugjatë sirianë, për të cilët merr miliona nga Bashkimi Evropian.

Operacioni Pranveror i Paqes, sipas Erdogan, synon të parandalojë krijimin e një koridori terroristësh në kufi dhe të sjellë paqe në këtë zonë.  Kurdët janë betuar se do të mbrojnë shtëpitë e tyre me çdo kusht. Përpos të tjerave, Shtetet e Bashkuara janë tërhequr duke i lënë ish aleatët të cilët i armatosi vetë, në mëshirë të fatit.

Cili Është Roli i Rusisë Në Këtë Luftë?

Tërheqja e Amerikës ka lënë një vakum të madh sa i përket ndikimit perëndimor në Siri dhe Rusia nuk mund të qëndronte dot indiferente. Presidenti rus Vladimir Putin firmosi një marrëveshje me Erdogan, e cila synon në pamje të parë të vendosë ekuilibrat e influencës të forcave  të mëdha në Siri.

Sipas marrëveshjes, kurdët e Sirisë do të largohen nga zona e sigurisë, Turqia do ta ketë atë në kontroll të plotë ndërsa Rusia do të bashkëpunojë me qeverinë e Sirisë do të kenë në kontroll sigurinë e territoreve përrreth. Thënë shkurt, kjo marrëveshje është një dhuratë bujare për liderin sirian Bashar-al-Assad dhe mbështetësin më të madh të tij, Vladimir Putin. Sipas ekspertëve, Asad ka transferuar të gjitha të ardhurat e tij, që besohet të arrijnë në 950 milionë paund, në Moskë.

Gjërat nuk kanë qenë gjithmonë kështu ama. Prej vitesh, Turqia dhe Rusia kanë qenë në anë të kundërta kur bëhej fjalë për Sirinë. Moska mbështet diktatorin Assad dhe Turqia opozitën kundër regjimit të tij. Erdhi dita që interesat e të dy vendeve u ndërthurën. Forcat ruse janë tashmë në Siri. Ata do të patrullojnë zonat e kontrolluara nga kurdët dhe do të lehtësojnë transportin e refugjatëve në zonën e sigurtë. Turqia e mori atë që deshi, Moska gjithashtu. Kjo e fundit kërkon të zgjerojë ndikimin e saj në Siri dhe më tej në Lindjen e Mesme, e shumë mendojnë që Amerika ia dhuroi këtë.

Siria, vendi i shumë luftrave por kurrë i paqes

Situata është shumë e komplikuar. Bëhet fjalë për katër konflikte të ndara por edhe të ndërthurura që vazhdojnë në vend. Lufta në Siri nisi në vitin 2011. Presidenti Bashar al Assad i shtypi protestat e popullit me bomba e lëndë kimike. Rebelimi i popullit nxiti formimin e forcave rebele të cilët u përpoqën fort të mundnin Assadin. Në 2015, ndërhyri Rusia dhe konflikti fillestar u mbyll me fitoren e Assad. Rebelët vazhdojnë të kontrollojnë disa zona të Sirisë, përfshirë Damaskun.

Konflikti i dytë është ai i Turqve dhe Kurdëve për të cilin mësuat më lart. Konflikti i tretë është mes Izraelit dhe forcave rebele të mbështetura nga Irani. Që nga viti 2011, Izraeli ka ndërmarrë plot 100 ofensiva kundër Sirisë por asnjëherë një ndërhyrje të mirëfilltë ushtarake. Izraeli shqetësohet sepse Irani mbështet disa forca rebele dhe e përdor Sirinë si bazë për sulmet ndaj Izraelit. Konflikti i katërt është ai mes SHBA-ve dhe Shtetit Islamik por që është zgjidhur deri diku. Megjithatë, Shteti Islamik vazhdon të kontrollojë disa territore të vogla në Siri.

Rreziku është shumë i madh që situata të përshkallëzojë edhe në rajon apo më tej. Imagjinoni, që tani 4 fuqi të mëdha janë të përfshira në Siri: Amerika, Rusia, Irani dhe Izraeli  Harta e mëposhtme tregon zonat e kontrolluara nga : forcat qeveritare, forcat rebele, forcat kurde dhe Shteti Islamik.

Gjysëm Milionë Njerëz Të Vrarë Në Siri

Që nga nisja e konfliktit në vitin 2011, numri i të vrarëve në Siri ka arritur në gjysëm milionë, mes të cilëve dhjetëra mijëra janë fëmijë.

Një pjesë e viktimave është përgjegjësi e regjimit të Assad, që sipas një raporti ndërkombëtar ka përdorur mbi 72 lloje torturash direkte kundër popullit armik. Ndër torturat më të përdorura nga forcat e regjimit janë: përdhunimi, zjarri, përdorimi i ujit të nxehtë, prerja e gjymtyrëve dhe abuzimi për së gjalli nga ana e praktikantëve të mjekësisë. Këtu nuk përfshihen sulmet kimike që kanë gjunjëzuar një popull të tërë që nuk di nga cila anë të mbrohet.

Ali Baba Dhe 40 Hajdutët

Siria është kthyer në një minierë ari për tregun e zi dhe jo vetëm, ndaj të gjithë ndihen pak si Ali Baba. Shtetet e Bashkuara kanë përfituar prej luftës duke shitur armë rebelëve e kurdëve. Kompani të ndryshme prodhojnë armë vetëm për përdorim në Siri. Duke qenë se aleancat dhe konfliktet janë të larmishme, forcat kundërshtare kanë të njëjtat armë, të marra nga e njëjta kompani.  Kompania më e madhe e ofrimit të armëve është Lockheed Martin me seli në Amerikë që furnizon me armë jo vetëm Sirinë por edhe Izraelin, Katarin, Arabinë Saudite, Turqinë dhe vetë Amerikën. ISISI ka fituar miliona duke shitur naftën e Sirisë. Veç tyre, njerëzit bëjnë miliona duke shfrytëzuar viktimat e luftës.

Në vend, edhe varret kushtojnë, madje në shumë raste jepen me qera njësoj si apartamentet. Çmimi i qerasë së një varri është 1000 USD në vit. Përpos të tjerave, edhe emigrimi kushton. Njerëzit që duan të largohen nga Siria duhet të paguajnë qindra e mijëra euro për të shpëtuar. Rrugët më të ndjekura të refugjatëve janë nga Turqia për në Greqi dhe nga Libani për në Bullgari.

Përse Është Siria Kaq e Rëndësishme?

Siria rrethohet nga Turqia, Iraku, Izraeli dhe Libani. Pak kohë më parë, Donald Trump e përshkroi Sirinë si vendi i rërës dhe vdekjes.

Siria është më shumë se kaq. Rëndësia e saj strategjike për kaq shumë vende në botë nuk ka të bëjë vetëm me burimet natyrore. Siria është mu në zemër të betejës për pushtet Arabi-Azi. Ajo ndodhet në mes të dy vendeve më të mëdha prodhuese të naftës por edhe është shumë pranë Afrikës. Për Rusinë, Siria është e një rëndësie thelbësore. Nga viti 2008-2012, eksportet ruse të armëve drejt Sirisë arritën 1.1 miliardë dollarë. Rusia ka nevojë për Sirinë sepse ajo përbën korridorin më të rëndësishëm detar të tregëtisë, veçanërisht të naftës nga Lindja e Mesme. Siria është e rëndësishme edhe për Iranin. Siria është krahu që e tërheq Iraninë në Lindjen e Mesme. Irani e përdor Sirinë si vend trajnimi për aktivitete terroriste.

Siria është një vend prodhues modest i naftës dhe gazit. Shumica e vendburimeve të naftës ndodhen pikërisht në zonën që kontrollohet nga Kurdët. Pas zbulimeve të vendburimeve të reja në Mesdhe, ekspertët pretendojnë se në këto zona fshihet një pasuri e vërtetë, zbulimi i të cilës është kthyer në makthin e një populli të tërë. /Tiranapost.al/