• Shqip
  • English
  • E shtunë, 16 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Bon Voyage Kontribues Të gjitha TIP top

    Mund të kesh qenë edhe në Itali dhe në Francë, por jo si Ajla


    Esencë editori/ Një tjetër udhëtuese vjen në rubrikën tonë “Bon Voyage”. Ajla Petrela është një udhëtare dhe fotografe e mirë destinacionesh. Mund të kesh qenë në të njëjtin vend, por ajo bën fotot më të bukura dhe gjen restorante fantastik. A mos duhet talent edhe kur udhëton?! Nëse do zbulosh Ajlën do bindesh që po!

    I gjithë udhëtimi im i kësaj vere u nis nga dëshira ime e madhe për të vizituar fushat e Valensole në Provence të Francës. Periudha më e mirë për të shkuar është fundi i qershorit deri diku në mes të korrikut, pasi atëherë lulja e livandës është në “full bloom”. E teksa kërkoja mënyrën më të mirë për të udhëtuar drejt Provences, bëra një itinerar në kokë.

    Nisja do të ishte Tiranë – Genova me avion, nga ku do të merrnin një makinë me qira dhe do të drejtoheshim drejt Francës. Duke qenë se rruga ishte përgjatë Cote D’Azur, menduam që do të ishte mirë të ndalonim ndonjë ditë për të vizituar dhe qytetet më të famshme, si Nice, Cannes, Montecarlo, St.Tropez.

    Cinque Terre

    Ndërkohë isha hasur në rrjetet sociale me shumë blogere të famshme të huaja që preferonin dhe “Cinque Terre” si destinacion “must” në vitet e fundit. Dhe thamë pse jo, duke qenë se i kishim të gjitha në një drejtim.

    Pra itinerari im u zgjerua pak. Sugjeroj që kush do të vizitojë “Cinque Terre”, të qëndrojë në La Spezia, një qytezë fare pranë “Cinque Terre”. Mos bëni gabim të udhëtoni me makinë, pasi qytezat kanë rrugë shumë të ngushta, ka shumë vështirësi në parkim dhe janë të gjitha tatëpjetë. Mënyra më e mirë është të përdorni “Cinque Terre Card”. Qytezat nga njëra te tjetra janë shumë afër, 10-15 minuta maksimumi me tren. Secila qytezë do shumë pak kohë të vizitohet, pra mund të vizitohen dhe 2-3 brenda një dite.

    Një sugjerim: Mos shkoni në “Cinque Terre” nëse është shumë vapë, pasi ndërtimet me gur e reflektojnë akoma më shumë dhe ndihet vapa shumë më tepër. Periudha më e mirë për të shkuar: Fillim maji.

    L’Ancora Della Tortuga

    Ju sugjeroj gjithashtu lokalin: Nessun Dorma në Manarola, një pamje fantastike shoqëruar me ushqim shumë të mirë. Ndërsa në Monterosso al Mare, “must try” ishte L’Ancora Della Tortuga.

    Dy ditë e gjysmë janë mëse mjaftueshëm për “Cinque Terre”. Një “pit stop” në Portofino, kafe me briosh në “La Terrazza” e Hotel Belmond Splendido, me një pamje të mrekullueshme.

    Më pas i drejtohemi Cote D’Azur. Sugjeroj të qëndroni në Nice, pasi është goxha qytet i madh dhe qytetet e tjera janë lehtësisht të arritshme.

    Nice

    Ditët u mundova t’i ndaj në: paradite plazh dhe pasdite eksplorim qytetesh. Më bëri shumë përshtypje fakti se çdo plazh që vizitova, 90% ishin plazhe publike. Njerëzit me çadra, baguette, djathë brie dhe një shishe verë të bardhë ose rose, shoqëruar me gota plastike ishin lehtësisht të dallueshëm kudo ku kam shkuar.

    Plazhet “must” për t’u vizituar janë:

    Paloma Beach- St.Jean Cap Ferrat.

    Passable Beach

    Cap D’Ail

    Pampelonne Beach- St. Tropez

    “Nikki beach” në St. Tropez ishte i preferuari im. Ndërkohë Club55, Les Palmiers, Bagatelle janë të tjera opsione “IN” për të kaluar ditën afër plazhit.

    Villa Ephrussi de Rothschild

    Qytetet që kam vizituar janë: Nice, Cannes, Monaco.

    Sugjeroj një drekë tipike franceze në qytetin e vjetër, tek Comptoir Du Marche, një perlë e vogël me një kuzhinë shumë të mirë me çmime normale.

    “Castle Hill” në Nice për një pamje piktoreske të gjithë rivierës.

    Villa Ephrussi de Rothschild, në Saint Jean Cap Ferrat, një vilë e kthyer në muze, me një super kopësht gjigant me lule, të të gjitha llojeve, një “must” për të bërë diçka ndryshe.

    Saint Jean Cap Ferrat

    Pesë ditë janë mëse të mjaftueshme për të vizituar një pjesë të rivierës franceze.

    Ndërkohë drejtohemi drejt St.Croix Du Verdon, një qytezë me një liqen natyral në ngjyre gurkali në një anë dhe fushat me livando në anën tjetër. Një mrekulli e natyrës. Udhëtimi zgjat rreth 2 orë e gjysmë.

    Zgjodhëm një agriturizëm për 2 netë, i cili kishte pamje nga liqeni, natyrë çlodhëse, ajo që na duhej pasditeve. Isha shumë e emocionuar dhe vetëm qeshja nga qejfi sapo pashë fushat me livando të cilat ishin në çdo cep.

    Kisha bërë një kërkim të mirë nga “Google” e deri te të gjithë bloogerët në Instagram, të cilat kishin qenë për të gjetur vendet me kyçe për të shkrepur disa foto kujtim. Përveç fushave të livandës, kishte plot fusha me grurë dhe luledielli.

    Restoranti që ju sugjeroj të provoni për një drekë me një pamje nga liqeni është L’Actuel. Ofrojnë dhe opsionin e menusë fikse në dreke, i cili ishte goxha i leverdishëm.

    Valensole Angelvin është zona me pamjen më të bukur të livandës, ku ndërthuret dhe me fushat e lulediellit. Momentet për të realizuar fotot më të bukura janë në lindje dhe perëndim të diellit. Gjatë ditës mund të vizitohen qytezat e Valensole, Manosque, si dhe Moustiers Sainte Marie, e cila ishte e famshme për prodhimin e Faiance (qeramike, çdo gjë handmade e krijuar dhe pikturuar).

    Kam një sugjerim të përgjithshëm, mos kini si qëllim të zgjidhni hotelin me 5 yje, me një holl luksoz, por synoni të shikoni sa më shumë vende të bukura jashtë “hotelit dhe pishinës”.

    Ajo që nuk ia vlen është të shpenzoni ( 50-60 euro) për shezlong në ndonjë plazh privat tek-tuk. Çadër, baguette dhe verë janë kombinimi perfekt./ Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post