Sport Te gjitha

Mourinho vë në pikëpyetje aftësitë e lojtarëve, pas barazimit me Arsenalin


Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, ka vënë në pikëpyetje aftësitë e lojtarëve të tij, pas barazimit 2-2 me Arsenalin në “Old Trafford”, të mërkurën. “Djajtë e Kuq” e panë veten dy herë në disavantazh, teksa të dy golat e pësuar ishin rezultat i gabimeve individuale.

David de Gea pati një dobësi të pazakontë në rastin e golit të parë të Arsenalit, ndërsa gaboi edhe Marcos Rojo, duke lejuar Alexandre Lacazette për të shënuar të dytin. Megjithëse u ankua për gabimet e ekipit të tij, Mourinho vlerësoi përpjekjet e lojtarëve në “Old Trafford”.

“Ne po vuajmë nga disa dëmtime. Kjo krijon me të vërtetë një situatë të vështirë, që mund të kapërcehet vetëm nga shpirti i madh i lojtarëve, – tha Mourinho për “BT Sport”. – U munduam të kishim përqendrim që nga minuta e parë, por disa lojtarë i pashë në vështirësi. Ne duhet ta fitonim ndeshjen. Kemi bërë dy gabime të mëdha në golat e kundërshtarit. Po ashtu, kemi bërë gabime të tjera, duke i dhënë Arsenalit mundësinë e kundërsulmit”.

Mourinho u detyrua të hedhë në fushë një skuadër të improvizuar kundër “Topçinjve”, me disa lojtarë që nuk kanë patur shumë minuta në këtë sezon. “Diogo Dalot debutoi në Premier League, Marcos Rojo luajti minutat e para të sezonit, Matteo Darmian kishte ndeshjen e tretë, Eric Bailly nuk luan për disa muaj,– u ankua Mourinho. – Ata dhanë ca shenja pozitive, por ka gjëra, që nuk mund t’i marr prej tyre. Unë nuk mund të them më shumë se kaq. Preferoj vetëm të them se jam i kënaqur me shpirtin, përkushtimin dhe guximin e lojtarëve. Jam vërtet i lumtur me këtë”. /XH.K