Qyteti

Moti i keq/ 1800 punonjës të Bashkisë së Tiranës në gatishmëri

Moti i keq/ 1800 punonjës të Bashkisë së Tiranës

Pavarësisht motit me reshje të mëdha shiu në zonat e ulëta dhe me dëborë të dendur në zonat malore të Tiranës, asnjë pjesë e territorit të kryeqytetit nuk ka shfaqur deri më tani probleme me përmbytjet apo bllokimin e akseve rrugore. Kjo falë punës së mirë që është bërë në disa nga piakt problematike, siç është edhe sistemimi i Lumit Tirana, por edhe masave që ka marrë Bashkia e Tiranës për të përballuar situatën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale garantoi se janë marrë të gjitha masat dhe prej ditës së sotme, 1800 punonjës të bashkisë janë në gatishmëri të plotë. Ai u bën thirrje të gjithë banorëve të Tiranës që të jenë bashkëpunues dhe të kërkojnë ndihmën e strukturave bashkiake për çdo emergjencë.

“Sot është një ditë jo e lehtë për menaxhimin e qytetit! Jemi në terren në Tiranë-qytet, për të shmangur përmbytjet dhe në zonat Tiranë-rrethina, me kripë e skorje për borën! Nëse bashkëpunojmë, të gjithë do t’ia dalim me sukses! 112 për çdo emergjencë! FORCA”, shkruan Veliaj./ Copyright Tiranapost.al