Aktualitet

Mos ndoshta bakllavanë e bërë vetë duhet ta shpallim të zhdukur?

Gjatë ditëve që paraprinë Krishtlindjet, vendosëm të shtonim shkrimet për festa. Me përgatitjet e zonjave, me recetën e gjelit, që na i solli Juliana Pasha, me drekën e Krishtlindjeve që na erdhi që nga Korça nga shtëpia e Zamira Kitës. Me letra Babagjyshi nga fëmijët e prindërve të njohur, me bluza feste e me kartolina tek bredhi. Kërkuam edhe për një zonjë që të na tregonte se si e përgatiste bakllavanë në shtëpi. Po ku ta gjenim? I çamë telefonat (zonjat e njohura që e përgatisin vetë, tani janë duke thënë: mua nuk m’i keni rënë telefonit). Ndoshta qëlluam të pafata, por ne kërkuam aq shumë një personazh që ta bënte bakllavanë vetë.

[caption id="attachment_158504" align="aligncenter" width="524"](Foto nga shkrimi i recetës së Julit në Tiranapost)[/caption]

[caption id="attachment_158505" align="aligncenter" width="387"](Foto nga shkrimi i recetës së Zamirës në Tiranapost)[/caption]

Nuk e vëmë fare në dyshim që ka shumë zonja që e kanë bërë me duart e tyre, i kanë hedhur tashmë sherbetin dhe e kanë servirur për darkën e sotshme apo e kanë gati për drekën e nesërme. Por ne donim një nga vajzat apo zonjat e ekranit, të cilat i mirëkuptuam, sepse sidomos fundviti për to është aq shumë i ngjeshur me aktivitete. Ku ta gjejnë kohën për t’iu përveshur bakllavasë?

Pastaj e vumë shpirtin në paqe duke treguar secila në redaksi se ishim duke kërkuar ca si shumë: kush i hyn gjithë asaj pune? Kush e bën shtëpinë lëmsh për një bakllava që mund ta blesh në ëmbëltore, pa u lodhur hiç? Mbi të gjitha, aq shumë petë nuk hapen vetë, nëse do kujtojmë si bëhej dikur, mblidheshin dy tre zonja bashkë. Kanë ikur ato kohë, edhe pse receta e re e metodës turke i thjeshtoi gjërat shumë. Secila nga ne tregoi se as mamatë, as vjehrrat e as gjyshet tona s’po e bënin më bakllavanë. Dhe kur nuk e bëjnë ato, ne më të rejat vështirë t’i hyjmë asaj pune ndonjëherë. Rrofshin pastiçeritë!

Ama një gjë është e sigurt: e blerë apo e bërë vetë, ne nuk e mendojmë dot Vitin e ri pa ëmbëlsirën me petë e sherbet. Edhe ajo e blera shumë e mirë është! K.S. Tiranapost.al