Showbiz

Mos e kryqëzoni Renaton. Ia do puna të bëjë si djall

Mos e kryqëzoni Renaton. Ia do puna të bëjë si djall

Pas lajmit që publikuan disa portale, se zonja Tefta ka kritikuar chef Renato Mekollin, se është shumë i dhunshëm me kuzhinierët e rinj të Hell's Kitchen, sot rrjeti zjen në komente po aq sa zjenin dje tenxheret e tiganët në programin e ri të Top Channel, një patentë e "Fox Broadcasting Company".

Dhe kur bëhet fjalë për një patentë, pra një program i ideuar dhe formuluar nga një kompani e caktuar që blihet nga një televizion, si në këtë rast Top Channel, do të thotë se formula është e qartë. Autorët shqiptarë thjesht e zbatojnë dhe e sjellin në variant shqiptar. Hell's Kitchen nuk është një program ku kuzhinierë të rinj tregojnë si bëhet supa me perime. Është një program ku ata tregojnë këtë e shumë receta të tjera të ndërlikuara, që kanë si qëllim jo vetëm garën por edhe të ngacmojnë qiellzën e një chefi gërrnjar, që zakonisht është kuzhinieri me nam Gordon Ramsay por në rastin tonë është Renato Mekolli, i cili ka qenë një prej tre chef-ave edhe në formatin tjetër të ngjashëm, Masterchef, ku tregoi qartë natyrën e tij grindavece dhe të pakënaqur, tipi ideal për t'u vendosur në kuzhinën e ferrit, që jo më kot quhet kështu.

[caption id="attachment_288278" align="aligncenter" width="660"](Renato gjatë programit, foto nga Google)[/caption]

Ekranet tona janë të mbushura me programe gatimi. Që në mëngjes në çdo kanal ndizen sobat e furrat dhe mprihen thikat, gatuhet e shijohet gjithë delikatesë e dashuri. Ç'interes do kishte në prime time një program i thjeshtë gatimi?

Sot të gjithë po shajnë Renaton e s'po i lënë gjë pa i numëruar, që nga arrogant, harbut, fshatar, emigrant i lodhur, e deri tek ato sharjet me libër shtëpie. Do të thotë që ata janë acaruar aq shumë, e kanë ndjekur, pra programi ia ka arritur qëllimit, por mbase nuk po ndajnë dot Renaton nga chef-i televiziv. Renato është chef, por në këtë rast nuk po punon në restorant, po punon në televizion, i cili ka për qëllim të ketë pjatë të larmishme shikueshmërie, ndaj edhe garnitura është e pasur me grindje, sharje, ofendime, pjata që thyhen, të bërtitura, komente që askujt s'do t'i pëlqenin, receta që chef-i i hedh në kosh pa i provuar fare e shumë e shumë episode të tjera, që përbëjnë në tërësi këtë lloj programi, i cili që në logo ta jep fare qartë idenë: ai simboli i zjarrtë nuk është masha që trazon prushin në vatër... konkurrentët që kanë futur këmbët në kuzhinën e ferrit, e kanë të qartë së çfarë do ndodhë. Chefi e ka edhe më të qartë se çfarë duhet të bëjë: sa më i keq ai, aq më "e tmerrshme" dhe spektakolare kuzhina e ferrit. Na pëlqen apo jo Renato si personazh, na pëlqen apo jo ky lloj programi, kjo është tjetër histori, por mos e kryqëzoni për rolin në Hell's Kitchen. Është thjesht duke bërë televizion, pavarësisht se duket djalli vetë.

*Ky post është publikuar në Tiranapost.al dhe është realizuar nga Klaudeta Skënderasi.