Aktualitet

Miti i rremë i “plotfuqishmërisë” së Metës për marrëveshjen me Greqinë

Nga Alfred Peza/ Presidenti i Republikës nisur nga fryma e Kushtetuës, ka një rol sigurisht kur është fjala për çështje të marrëveshjeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Ajo që po mundohet që të “ngjizet” nga një pjesë e mediave dhe opinionistëve pranë tij, është miti i rremë rreth “plotfuqishmërisë” që z. Meta paska në lidhje me çështjen e negociatave për zgjidhjen e problemeve të bartura me Greqinë. Duke shkuar deri atje sa “të japin alarmin me shqetësim” se mospërfshirja e tij në këtë rol, mund të rrezikojë gjithë procesin.

Debati u hap, në momentin kur ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, kërkoi autorizimin e kreut të shtetit, për nisjen e punës së negociatorëve, për të hedhur në letër një draft konkret të çështjeve të bartura historikisht mes Tiranës dhe Athinës, për të cilat është biseduar deri më tani në parim prej rreth dy vjet e gjysëm, mes dy grupeve të ekspertëve të të dyja vendeve.

Miti i rremë në këtë rast si të gjitha mitet, ka nevojë që të ngjyhet me një pigment realizmi, për ti dhënë më pas përmasat glorifikuese të përhapura deri në atë pikë, sa të nisin e të meren më pas seriozisht, si të vërteta. Ballkani është i mbushur me shembuj të tillë nëpër histori.

E vërteta së cilës i referohen ata që kërkojnë ta ngjizin mitin e rremë të plotfuqishmërisë së Metës në këtë rast, bazohet tek konkluzioni i vendimit të Gjykatës Kuhstetuese të vitit 2010 që rrëzoi marrëveshjen e qeverisë Berisha për detin.

Në të thuhet:

Mospajisja e delegacionit të Shqipërisë me plotfuqishmëri të rregullt nga ana e Presidentit të Republikës (Bamir Topi) ka sjellë si pasojë cënimin e kopetencës së kreut të shtetit. Mungesa e plotfuqishmërisë së rregullt bie ndesh me kuadrin e brendshëm kushtetues dhe ligjor… Kjo papajtueshmëri prek edhe thelbin e marrëveshjes së lidhur nga shteti shqiptar. Për këtë arësye Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se marrëveshja e nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke është lidhur në shkelje…”

Nga viti 2010 kanë kaluar 8 vjet. Dy vjet më parë, në 2016 në Parlament u miratua ligji i ri për marrëveshjet (Nr. 43/2016), në të cilin përcaktohet se plotfuqishmërinë në raste marrëveshjes si kjo që po negociohet me Greqinë, e ka ministri i Punëve të Jashtme, ndërsa Presidenti i Republikës jep vetëm autorizimin. Në neni 5 të Kushtetutës thuhet se “marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë,… bëhen me autorizim nga Presidenti”.

Ndërsa në Nenin 6, pika 1 thuhet se… përfaqsuesit e Republikës së Shqipërisë të autorizuar për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pajisen me plotfuqishmëri nga autoriteti kopetent”. Pra nuk thotë nga Presidenti i Republikës. Autoriteti kopetent për çështjet e politikës së jashtme, është Ministria e Punëve të Jashtme.

Për rrjedhojë edhe në rastin e negociatave me Greqinë, Presidenti Meta jep autorizimin për nisjen e punës së ekipit negociator, ndërsa ministri i Jashtëm Bushati, ka plotfuqishmërinë për realizimin e tyre.

Presidenti jo vetë që nuk është i përjashtuar, por përkundrazi. Ai ka tri momente kur e kontrollon procesin:

Së pari, në momentin e tanishëm kur pritet të japi autozimin për fillimin e punës së negociatorëve.

Së dyti, në momentin kur marrëveshja hartohet në letër dhe bëhet gati për të shkuar për firmë dhe më pas për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Së treti, në momentin e dekretimit, pasi ajo të jetë miratuar nga Parlamenti.

E gjithë zhurma që bëhet, është thjeshtë një lojë politike për të rritur “pazarin politik” të Presidentit, që të mari më shumë rol e për rrjedhojë, më shumë merita nesër, në një proces që ai si një “politikan race”, e kupton se po shkon drejt konkludimit. E duke qenë se është një marrëveshje historike, secili kërkon të marë “hisen” më të madhe të mundshme, për një dokument që do të zgjidhi shumë probleme të bartura prej mbi 70 vitesh mes Shqipërisë dhe Greqisë./ Marrë nga Alpe News