• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Anti-Politika Opinion Të gjitha

    Misioni i (PA)mundur i Astrit Patozit


    ANTIpolitika
     
    Nga Alfred Peza*
     
    Me nisjen e turit nëpër Shqipëri, për tu takuar me demokratët pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 qershorit, Astrit Patozi “de facto” sapo ka nisur një përpjekje të re për riorganizimin e PD dhe të së djathtës shqiptare. Ai vetë thotë se e gjitha kjo synon, veçse ndërprerjen e garës Basha- Selami për kreun e ri të PD, si një proces jashtëstatutor, duke e quajtur atë “një farsë të rrezikshme për PD e demokracinë shqiptare”. Pavarësisht të gjithave debateve, kundërshtimeve, oponencës, zërave kundër, përplasjeve, tensionimit të situatës në terren, luftës verbale dhe dhunës fizike tek- tuk që po e shoqërojnë këtë proces, një gjë gati të gjithë e kanë të qartë. Skenari i një shfaqje politike si kjo që po konsumohet, është diçka e lexuar dhe përfundimi i saj, është i ditur që tani.

    Lulzim Basha pavarësisht se si lider humbi edhe 13 mandate deputetësh në raport me 2013 (gati nga një mandat në çdo qark të Shqipërisë), siç humbi edhe zgjedhjet lokale të 2015, ai përsëri pritet të rikonfirmohet në krye të PD. Edhe nëse nuk do ishte vetëngrirë, por do të jepte dorëheqjen e të dilte nga zyra aktuale e SHUP-it, ndoshta me pak më shumë vështirësi e zhurmë publike dhe mediatike, përfundimi i gjithëçkaje do të ishte njësoj. Lulzim Basha do e udhëheqi PD edhe në katër vitet e ardhëshme. Për aq kohë sa lideri historik i saj, Sali Berisha e mbështet dhe nuk është kundër një ambicje të tillë të pasardhësit që e ka zgjedhur vetë.

     

    Ndaj këtu nuk ka asgjë të re për të analizuar. E reja e madhe e gjithë kësaj ç’farë po ndodh është fushata e Astrit Patozit. E cila duket të jetë një lëvizje jashtë skenarit zyrtar të garës për kryetarin e ri, jashtë strukturave zyrtare të PD dhe jashtë dëshirës së “liderit historik ”. Shenjë e sigurtë se ish Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, jo vetëm u nda sot përfundimisht nga Lulzim Basha. Por ai shkoi shumë më larg se gjithë ata kontribues të mëdhenj të kësaj partie, që mbetën jashtë listave të kandidimit për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë mënyrë Astrit Patozi ka nisur një fazë të re, një udhëtim të ri në karrierën politike, që i ngjan paksa udhëtimit epik të Odiseut drejt Itakës së tij.

     

    Një rrugë që në këto 27 vjet, e kanë nisur shumë e shumë të tjerë, por asnjëri nuk ia kanë dalë deri më sot që të mbërrijnë në destinacion. Pavarësisht se shkaqet kanë qenë nga më të ndryshmet. Dikush se nuk i rezistoi dot tundimit të sirenave në dy anët e anijes. Dikush se anija e tij u fundos nga shkëmbinjtë e nënujshëm. Dikush se i pati erërat kundër. Dikush se nuk kishte rremëtarët e duhur. E dikush ngase ndoshta nuk kishte pelqimin e Zotave. Apo se dikush nuk kishte këllqet e duhura për një udhëtim homerik si ky, që ndodh një herë, ose kurrë në jetën e një partie politike.   
    Astrit Patozi ka qenë i rreshtuar që në krye të herës djathtas, në vokacionin e tij si gazetar i një gjenerate të re të pas 1990 në Shqipëri. Duke startuar me disa eksperiencave në agjensi apo media të ndryshme të shkruara. Bashkë me Sokol Olldashin, Edi Palokën dhe shumë të tjerë. Derisa nga 1997 e deri më 2005, drejtoi gazetatën “RD”, organin zyrtar të PD derisa hyri në politikë. Gjatë tetë viteve të partisë së tij në pushtet (2005- 2013), nuk mori asnjë post ministri apo drejtuesi në ekzekutiv. Gjatë mandatit të dytë qeverisës, u zgjodh Kryetar i Grupit Parlamentar të mazhorancës, ku me sa duket filloi edhe një nga fazat më të rëndësishme të karrierës së tij politike. Maturimi, pjekuria dhe fillimet e para të një vokacioni të ri gjithnjë e në rritje në ligjërimin politik.

    Pa asnjë diskutim, kanë qenë 4 vitet e mandatit që sapo lamë pas, periudha më e artë e rritjes së profilit politik të Astrit Patozit, derisa u ngrit dalëngadalë nëpërmjet fjalimeve kryesisht të spikatura në sallën e Kuvendit, në lartësinë e të bërit një prej personaliteteve të padiskutueshme të kësaj partie. Ishte koha, kur e gjitha kjo u evidentua nga mediat dhe ra në sy të shumëkujt në opinionin publik shqiptar. Duke krijuar në këtë mënyrë individualitetin dhe tiparet e një karakteri dhe zëri të veçantë jo vetëm brenda PD dhe hapësirës të së djathtës shqiptare, por edhe në tërësi në atë sallë të Parlamentit dhe në klasën politike shqiptare.

     

    Kjo kurbë me kreshendo e rritjes së figurës politike të Astrit Patozit duket se përkoi në kohë edhe me largimin tragjik nga jeta të mikut të tij Sokol Olldashi. Duke bërë në këtë mënyre, me apo pa dashjen e tij, një rokadë që dukej sikur po mbushte çdo ditë e më shumë, një vend të lënë bosh në hapësirën politike opozitare. Por, mbi të gjitha kjo duket se po krijonte pa kuptuar, edhe hijet e një rivaliteti të ri brenda përbrenda PD. Ku nga ana tjetër Kryetari Lulzim Basha duket se ka vuajtur shumë në dy vitet e ikjes më 2015 nga kreu i Bashkisë së Tiranës, mungesën në sallën e Parlalemtit. Pikërisht pamundësinë e tij të kushtëzuar për të qenë çdo të enjte, në atë foltore e cila ishte shndërruar në pistën e madhe të shkëlqimit të rivalit të tij të ri në garën e lidershipit, Astrit Patozi.

     

    Me siguri është kjo një nga arësyet kryesore se përse Lulzim Basha e la zërin më interesant brenda grupit të tij parlamentar, jashtë listave të kandidimit. Tani që do të rikthehet vetë në atë sallë të Kuvendit më 9 shtator, Kryetari i PD nuk ka dëshirë me sa duket, që të ketë një tjetër rival, që do të mund ti bënte hije me sharmin e fjalimeve të tij të veçanta. Por a mjafton e gjitha kjo, që Astrit Patozi pasi e nxorrën nga dritarja, të rikthehet triumfator nga dera kryesore e PD, nëpërmjet këtij turi takimesh politike nëpër Shqipëri?

     

    Kush na siguron ne se atë që nuk e ka arritur deri tani ta realizojë as Azem Hajdari, as Eduard Selami, Neritan Ceka, Perikli Teta, Gramoz Pashko, Genc Pollo, Bamir Topi, Dashamir Shehi, e shumë e shumë të tjera, të mund tia dalë këtë radhë Astrit Patozi? Pra, që të arrijë të bashkojë të gjithë aktorët dhe faktorët e lënë jashtë e të krijojë një lëvizje të re politike, për të ndalur rrjedhën e frikshme të votuesve tradicionalë të PD? E me anë të saj, ai tia dalë të rikthejë sërisht jo vetëm ata mbi 200 mijë demokratë të zhgënjyer që nuk e votuan këtë radhë partinë e tyre. A mund tia dalë ai dhe ata që do ta mbështesin nga afër, që të bashkojë edhe votat e së djathtës historike, të të ikurve pas 1992 nga kontigjenti elektoral i PD por edhe votat e së djathtës së re të krijuar nga sistemi kapitalist i këtij çerek shekulli, të cilë nuk janë ndjerë asnjëherë të përfaqësuar deri më tani nga Berisha apo Basha?

     

    E shtruar kështu, e gjitha çfarë ka filluar sot me lëvizjen e re të Astrit Patozit, duket gati- gati një mision i pamundur. Por, po ta shohësh problemin nga një këndvështrim krejt tjetër, atëherë edhe për të vlen aksioma aq e njohur se në politikë, “kurrë mos thuaj kurrë”. Që do të thotë se kjo lëvizje e re ka shanse që t’ia dalë, për aq kohë sa ata që do ta drejtojnë atë, nuk do ti bëjnë më gabimet e vjetra. E do ia dalin që të shfrytëzojnë mjeshtërisht, konjukturën e re dhe shanset e mëdha të së sotmes. Shansin e ri të rithemelimit të së djathtës së vërtetë shqiptare, në kushtet kur ati themelues i PD së vjetër, Sali Berisha ka katër vjet që është tërhequr nga politika aktive. E për rrjedhojë fuqia e tij është në mënyrë të natyrshme, një kurbë në zbritje. E mbi të gjitha, për aq kohë sa pasaardhësi i tij i preferuar, po dështon me sukses!

     

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al