Art dhe Kulturë

Mirupafshim House of Cards, tani sfida është me Mbretëreshën. Michael Dobbs: Nisa të shkruaja për inat të Margaret Thatcher

Michael Dobbs frymëzoi serialin televiziv që parashikoi dekadencën e demokracisë (përpara se të binte vetë për shkak të çështjes së Kevin Spacey). Tani vjen me një trill i ri që ka në qendër monarkinë. Rrëfimet e një njeriu që e njeh politikën nga brenda dhe marrëdhëniet e komplikuara me Margaret Thatcher.

Ekziston një ditë në vit kur autoritetet më të larta të Mbretërisë së Bashkuara, Mbretëresha, pasardhësi i fronit, kryeministri me kabinetin qeveritar, deputetët dhe Lordët ndodhen të gjithë në të njëjtën dhomë. Është hapja e vitit parlamentar, kur Mbretëresha vjen me karrocë në pallatin Westminster dhe me kurorën në kokë, lexon propozimet e ligjeve për dymbëdhjetë muajt në vijim. Prania e gjithë personaliteteve në të njëjtën dhomë mund të jetë tundim i fortë për terroristët, revolucionarët apo kriminelët: jo pa shkak, ka qenë në një rast të tillë kur më 1605 Guy Fawkes tentoi të hidhte në erë gjithë parlamentin me tridhjetë e gjashtë fuçi baruti. Dhe pikërisht në këtë ditë Lord Michael Dobbs, autori i njohur i “House of Cards”, nis ambienton romanin e tij të parë të një serie të re, “Dita e Lordëve”. Një sfidë terroriste ndaj demokracisë britanike, një luftë për mbijetesë e zhvilluar brenda ndërtesës së quajtur “mamaja e të gjithë parlamentëve”, sepse pikërisht aty me Magna Carta-n nisi shteti modern i së drejtës. Por nëse saga e mëparshme, që u bë e njohur në të gjithë botën për shkak të ekranizimit, pati si protagonist një anti-hero, cinikun Frank Underwood, trilli i ri vërtitet rreth një parlamentari heroik, Harry Jones, ish-komandant i forcave speciale të ushtrisë britanike.

Si ju erdhi ideja e këtij romani, Lord Dobbs?

Njëzetë vite më parë, kur nuk isha ende anëtar i dhomës së Lordëve, dikush më çoi aty për ta vizituar. Ndaluam përballë fronit ku ulet mbretëresha për hapjen e vitit parlamentar. Pas fronit, vura re një deriçkë dhe mendova se aty mund të qëndronte ndonjë roje e mbretëreshës apo mund të ishte një kalim sekret prej nga Madhëria e Saj mund të largohej në rast rreziku. Shoqëruesi im më inkurajoi që ta hapja derën dhe ç’të shihja: ishte një dhomë e vogël që përmbante fshesa dhe kova pastrimi. Ekzistenca e një dhome aq të thjeshtë pranë fuqisë sonë më të madhe mu duk interesante. Frymëzimi i parë për këtë histori lindi pikërisht aty.

E më pas shkruajtët një histori për atë dhomën e pastrimit.

Jo, edhe pse ajo dhomë e ka një rol në historinë që tregoj. Në pjesën tjetër, pallati i parlamentit është i ndërtuar prej një labirinti dhomash, shkallësh, korridoresh, pra një labirint i madh ku është e lehtë të humbasësh apo të fshihesh. Ishte i mbrojtur jashtëzakonisht keq për të qenë një pallat pushteti. Kur e vura re këtë gjë gjatë kohës që bëja kërkime për librin tim, i shkrova Ministrit të Brendshëm për t’i vënë në dijeni, por nuk ma vunë veshin. Pas sulmit terrorist vitin e shkuar në urën Westminster, ku brenda oborrit të parlamentit mbeti i vrarë një polic dhe vetë atentatori, më në fund siguria u përmirësua.

Në roman i takon një deputeti, ish-komandant, që të vendosë sigurinë dhe të shpëtojë kombin. U frymëzuat nga dikush në veçanti?

Në parlament ka shumë ish-ushtarakë. Harry Jones nuk paraqet portretin e dikujt në veçanti.

“House of Cards” ka për protagonist një politikan “të keq”, a ka si protagonist “Dita e Lordëve” dhe romanet e tjera të serisë së re një politikan “të mirë”?

Edhe Harry Jones ka defektet e tij, për shembull në raport me gratë. Në përgjithësi besoj se të gjithë e kanë një anë të errët. Të mirët kurrë nuk janë plotësisht të mirë dhe të këqinjtë mund të kenë anën e tyre njerëzore. Kjo vlen si për personazhet e njohura ashtu edhe për njerëzit normalë, duke më përfshirë edhe mua, nëse i vë veshin atyre ç’ka thotë gruaja ime! Gjithsesi pjesa më e madhe e politikanëve kanë qëllime të mira, por problemi qëndron se për të pasur rezultatet e dëshiruara shpesh herë duhen bërë kompromise, madje edhe me vetveten. Kjo vlen si për heroikun Harry ashtu edhe për cinikun Frank Underwood.

Meqë ra fjala, a e prisnit suksesin ndërkombëtar të “House of Cards”?

Absolutisht jo. Nisa ta shkruaj për të hequr mërzinë gjatë pushimeve, nuk besoja se do ta përfundoja dhe as se do ta botoja ndonjëherë, e aq më pak se do të ndryshonte jetën time.

“Faji më i madh i udhëheqësve të kohëve të fundit është se i kanë hequr të rinjve mundësinë për të ëndërruar.”

Ngjarjet origjinale zhvillohen në Britani. Preferoni adaptimin që i ka bërë televizioni anglez apo ajo e kohëve të fundit nga Netflix, me të cilin bashkëpunoni?

Të dyja janë krijesat e mia, nuk mund të kem preferenca. Duke qenë se sapo jam kthyer nga xhirimet e sezonit të fundit të “House of Cards” në SHBA, mund të them se në sheshxhirim jemi të gjithë si një familje e madhe, plot lumturi dhe përkujdesje të ndërsjelltë.

Por tani ka një dele të zezë në atë familje?

Kush?

Kevin Spacey?

Kush? Preferoj të mos flas për këtë. Jeta ecën përpara.

Le të flasim atëherë për sekretin e profesionit tuaj: si mund të bëhesh shkrimtar i suksesshëm?

Nuk jam shkrimtar. Jam rrëfyes që libër pas libri kam mësuar të shkruaj më mirë. Sekreti është që të mos mërzitesh me atë që bën. Duke shkruar unë nuk mërzitem kurrë. Mund të jem duke pritur në një aeroport dhe nuk mërzitem, sepse duke parë njerëzit rreth e rrotull gjej frymëzim për histori dhe personazhe të rinj. Madje edhe nëse jeta do të më përballë me momente të vështira, e di se edhe prej tyre do të nxjerr material për të rrëfyer histori.

Jeta juaj duket si një roman i Dikensit: i lindur në një familje punëtorësh, i diplomuar në Oksford, zëvendës-president i agjencisë më të madhe publicitare në botë, shef i kabinetit të Partisë Konservatore, tani anëtar i dhomës së Lordëve dhe për ta mbyllur autor bestseller.

Kam pasur fat në jetë. Është fati i të jetuarit në një kohë të jashtëzakonshme. Kur isha i ri, gjithkush kishte mundësinë të ëndërronte dhe t’i realizonte ëndrrat e tij. Faji më i madh i udhëheqësve të kohëve të fundit është se i kanë hequr të rinjve mundësinë për të ëndërruar.

Si ishte Margaret Thatcher, me të cilën keni punuar për një kohë të gjatë?

Ajo dinte mirë se çfarë donte. Ishte e gatshme të sakrifikonte karrierën për vlerat në të cilat besonte. Kishte tipare të politikanëve bashkëkohorë, që i vënë rëndësi të veçantë dy gjërave: të duhen dhe të rizgjidhen. Por kjo nuk do të thotë se Maggie nuk ishte një grua shumë e vështirë. Me mua i mbylli marrëdhëniet në mënyrën më të pasjellshme dhe “House of Cards” nisa ta shkruaja pikërisht për mënyrën se si më trajtoi. Por pa dyshim mbetet kryeministrja më e madhe britanike e shekullit XX në kohë paqeje.

Ju keni lindur në të njëjtën orë, në të njëjtën ditë me Princin Çarls, a mendoni se do të bëhet një mbret i madh?

Çarlsi do të bëhet mbret në një moshë shumë të madhe. Do të jetë sovran pas një mbretëreshe shumë popullore që ka mbretëruar më shumë se të gjithë në historinë tonë dhe e di se pasardhësi i tij, Uilliam, që tani është shumë popullor. Janë rrengjet e sistemeve monarkike. Gjithsesi mbretëria jonë ka një mbështetje të madhe në publik, siç tregoi edhe dasma e fundit mbretërore. Çarlsi duhet të përpiqet ta ruajë, përgjatë tranzicionit të pushtetit nga mamaja e tij te djali Uilliam./Përktheu Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al