Aktualitet

Mirëserdhët në vitin 1984

Nga Matilda Terpollari/ Pushteti i vjetër, (dhe këtu e kam fjalën për atë të para 90-ës) është instaluar qartë dhe ende po punon për brezat e ardhshëm. Njerëzit e tij janë shpërndarë të gjithë me kujdes në partitë e tranzicionit. E kështu punistët e diktaturës gjatë katër viteve të fundit u bënë më të fortë se kurrë.

Sa herë hapet kjo temë, në opinionin publik, shtohen zërat se nuk mund të akuzosh bijtë për ato që kanë bërë prindërit. Jam dakord! Por çështja vështirësohet kur kuptojmë dhe vëmë re, se këta bijë nuk po gjejnë asnjë të aftë në radhët e tyre që ti mbrojë për bëmat dhe korrupsionin e katër viteve të fundit.

Me siguri një mendje e zgjuar i ka kërkuar ndihmë etërve t’i mësojë, se si mbahet pushteti dhe me çfarë metodash. Për këtë ju kanë hyrë në punë fijet e dukshme dhe të padukshme me racën e njerëzve që kanë përgjakur Shqipërinë në diktaturë. Sigurisht, që po të kërkosh gjen. Dhe u gjet Fatmir Xhafaj. Hetuesi regjimit, i pagëzuar nga vetë kumbari i komunizmit Enver Hoxha.

Xhafaj i plotëson të gjitha kushtet. Dhe më kryesorja plotëson kushtin si Hetues. Profesioni më i tmerrshëm në diktaturë. Xhafa ka më shumë informacion, se çdo rilindës tjetër. Jo vetëm për ata që janë në Parlament, por dhe për ata që janë jashtë tij, me dosje dhe pa dosje qofshin, miq e armiq.

Xhafaj është njeriu që i tremb të gjithë… se është i të gjithëve. Për të shpëtuar veten Rilindja nuk pyet më për popullin. As për viktimat e Xhafës, që rijnë të shtangur nga rrjedha e ngjarjeve. Fatmir Xhafaj është simboli i diktaturës që iku dhe i asaj që po vjen. Ai është nyja lidhëse për t’jua bërë të qartë të gjithëve që tranzicioni mbaroi!.

Pra mirëserdhët në vitin 1984 të Orwell. Historia kur harrohet ka tendencë të përsëritet. Dhe ne po e shikojmë rikthimin e saj këtë vit, si të ishte një spektakël në tv, LIVE.

Rilindja nuk do më të fshihet. Nuk ka më frikë. Rilindja me këtë zgjedhje po na tregon, se do të vrasë demokracinë dhe do e bëjë me të njëjtët njerëz që janë specializuar me dekada.

A ka turp më të madh se sa fakti që një hetues i Enverit 27 vite pas 90-ës u bë ministri ynë i Brendshëm?

Si për ironi, dje është publikuar një tjetër foto. Hekuran Isai, simboli i rrahjes së studentëve në 90-tën me nxënësin e tij Xhafën, ministrin tonë.

Tani nuk ka më asgjë kuptim. Me Xhafën ministër revolucioni që mbeti në tentativë në vitet 90, duhet të përfundojë.

Ka vetëm dy rrugë: ose të ngrihen studentët e sotëm që të zhdukin këtë klasë politike, ose t’ju hipim anijeve, ashtu siç e kemi zakon si popull në gjithë historinë tonë. Me shumë gjasë do të ndodhi kjo e dyta,pasi studentët për fat të keq janë mpirë... Nuk e kanë lënë ende facebook-un dhe të përmbysin sistemin.

Ndërkohë makineria e propagandës vazhdon punën. Një lajm sponsorizohet me intensitet: “ Xhafaj është një propozim amerikan. Një propozim i një shteti që partinë komuniste të dikurshme të Xhafës,e ka të ndaluar me ligj! Deri sa të dalin bijtë e shekullit të ri, na duhet të presim ose të zbrazim Shqipërinë.