Aktualitet

Mirëdita, Absurdistan!

Nga Enver ROBELLI

Ç'pamë në këtë fundjavë të përvjetorit të pavarësisë? Pamë fjalime të mbajtura nga zhvlerësuesit e gjuhës: ata flasin për prosperitet dhe qytetarëve para syve u shfaqen aferat e tyre korruptive. Kësisoj gënjeshtrat e pushetit janë shndërruar në hata parazitare, të cilat gërryejë e shkatërrojnë besimin dhe ia humbin gjuhës karakterin komunikues. Dhe - po! - pamë edhe Edi Ramën, i cili në vend se të merret me problemet e mëdha të Shqipërisë luan rolin e inxhinierit të kufijve dhe manipuluesit të ndjenjave kombëtare. U pa edhe Albin Kurti, por nuk erdhi me kohë në seancë dhe kështu shpëtoi pa e dëgjuar himnin e Kosovës - i cili i pengon me gjasë, por gjithsesi ka shumë qejf të bëhet kryeministër i përkohëshëm i Kosovës - deri në bashkim me shtetin mami. Mirëdita, Absurdistan!

  1. Kur gjuha e politikës nuk ka më kuptim

Çfarë pamë këtë fundjavë të shënimit të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës? Pamë, sërish, se si kjo klasë sunduese dhe eksploatuese politike ka arritur ta degradojë gjuhën. Ta zhvlerësojë atë. T’ia humb kuptimin. Nga foltorja e parlamentit dhe nga studiot televizive sunduesit flasin për qeverisje të mirë dhe qytetarëve para syve u shfaqen hotelet e shtrenjta në St. Moritz, këta flasin për prosperitet ekonomik dhe qytetarët i shohin aferat korruptive, këta flasin për barazi sociale dhe qytetarët i shohin (edhe në Instagram) pinjollët e sundimtarëve të Kosovës nëpër pista skijimi në Zvicër dhe plazhe të Floridës, këta flasin për demokraci dhe qytetarët shohin degradimin institucional, këta përbetohen se «tani do të qeverisim vërtet në interes të qytetarëve» dhe qytetarët këtë e përjetojnë si fyerje, sepse tashmë i kanë parë që nga viti 1999 se çfarë kanë bërë dhe çfarë nuk kanë bërë, kur këta thonë «kemi ndërtuar një shtet demokratik, funksional, efektiv» qytetarëve u kujtohen njerëzit me muskuj që kurdisin tenderë me fjalët «Mshoj gjanarski jarani jem» ose «Kqyre se s’mujta me të thirrë… m’u ka zbraz krejt fyti…». Zhvlerësimi i gjuhës është pasojë e korruptimit të sistemit. Nuk kemi të bëjmë vetëm me politikanë të korruptuar, por me sistem të infektuar nga korrupsioni dhe me jo pak qytetarë të gatshëm të bashkëjetojnë me këtë sistem dhe ta shohin atë si kësmët, jo si kiamet. Kësisoj gënjeshtrat e pushetit janë shndërruar në hata parazitare, të cilat gërryejë e shkatërrojnë besimin dhe ia humbin gjuhës karakterin komunikues.

  1. Rrëmuja retorike e Ramës

Gjatë fundjavës nuk pamë vetëm zhvlerësues të gjuhës, pamë edhe një mjeshtër të retorikës si Edi Rama, i cili talentin e tij e keqpërdorë për mesazhe populliste. Ndërsa vendi i tij që nga viti 1945 ka nënshkruar pothuaj çdo akt ndërkombëtar që garanton kujfijtë në Ballkan dhe që nga viti 1990 me devotshmëri ka pranuar çdo marrëveshje ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve në Ballkan (Daytoni, Rambouillet, Ohri, Vjena), kryeministri i Shqipërisë kur vjen në Prishtinë ose kur jep intervista përherë sillet si njëfarë «babai i kombit» – pa mandat. Dhe çka duhet pritur nga baballarët e kombit? Natyrisht gjëra të mëdha. Edi Rama po sillet si inxhinier që cakton kufijtë dhe manipulon me ndjenja kombëtare. Këtu nuk dallon shumë nga popullistët e tjerë ballkanikë, të cilët po ashtu ëndërrojnë të ndajnë Kosovën. Është një retorikë tashmë bajate: «Do të kemi një president të përbashkët», «do të jemi bashkë», «kemi një ëndërr». Ndërkohë që te Kukësi lopët ende dalin në korzo në autostradë, sepse shteti nuk është në gjendje të rregullojë atë pjesë të autostradës, ndërkohë që revista gjermane si «Stern» e përshkruajnë Shqipërinë si vend në duar të bandave të drogës dhe si shtet ku baronët e drogës me pëlqimin dhe përkrahjen e politikës shndërrohen në pronarë të bashkive, zonave turistike, hoteleve, ndërkohë që qindra shqiptarë po ikin nga parajsa e Edi Ramës dhe paraardhësve të tij në post dhe me javë të tëra po presin në tenda në fshatra të Spanjës për t’u futur në kamionë dhe kaluar ilegalisht në Britaninë e Madhe. Në paradën e tij për vizatim të kufijve Rama nënçmon secilin. Politikanët e Prishtinës? Lopë e loparë! Vjen në parlamentin e Kosovës, mban fjalim dhe nuk e përmend ideatorin e shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Pastaj ka kosovarë, si ndonjë këshilltar të kryeministrit kosovar, që e humbin kontrollin dhe e quajnë Edi Ramën jo më pak se të droguar – një akuzë që e ka dëgjuar shpesh edhe nga Sali Berisha. Kështu vërtet jemi një: vokabulari politik po harmonizohet. Ndërkohë që klanet ekonomike dhe oligarkët i favorizojnë prodhimet e Serbisë në tregun e Kosovës – të asaj Serbie që ka vrarë së paku 10 mijë shqiptarë, shumica civilë. E bllokuar mbetet edhe linja e interkoneksionit. Kush po e bllokon? Beogradi. Kush po hesht? Sundimtarët e Tiranës dhe Prishtinës.

  1. Himni

Albin Kurti sot ishte në seancën solemne të Kuvendit – ndonëse sipas dëshmitarëve ai erdhi me vonesë, me gjasë për të pritur derisa të intonohet himni i Kosovës. A keni parë këso situatash absurde në ndonjë vend të botës? Opozitari që dëshiron të bëhet kryeministër nuk vjen me kohë për shkak se nuk i pëlqen himni. Sepse ai çohet në këmbë vetëm kur intonohet himni i Shqipërisë! Disa mbështetës të Kurtit madje nuk u panë fare në seancë. Ndoshta kanë shkuar në zonat e tyre elektorale në Skrapar, Kurvelesh e Mallakastër për të përgatitur kandidaturat për Kuvendin e Madh Kombëtar. Çdo tendencë e Vetëvendosjes për të bojkotuar shtetin e Kosovës mund t’i kthehet asaj si bumerang. Sepse shteti kurrë nuk duhet ngatërruar me kusarët e cubat që mund ta sundojnë. Nuk është Kosova projekt i përkohshëm. Mund të shndërrohet nëse ka pajtim shoqëror në Kosovë për ta shkatërruar atë dhe për ta ndarë territorin mes Serbisë dhe Shqipërisë. Ndërkohë që Shqipëria si anëtare e NATO-s ka garantuar kufijtë dhe këtë po e bën çdo ditë në procesin e integrimit në BE. Njerëzit në Kosovë nuk janë budallenj. Duan të jetojnë të qetë, pa konflikte dhe të pashqetësuar nga Serbia dhe nga përrallat për bashkim kur shteti i Kosovës për shkak të zhvillimeve gjeostrategjike nuk është konsoliduar ende dhe me këto telashe do të ballafaqohet edhe në të ardhmen. Si të bindet një shtet të pranojë Kosovën kur ka politikanë që këtë shtet e shohin si diçka të përkohshëm? Deri dje u zhvillua loja me flamur, sot lojërat me himn. E Kosova ka halle tepër më të mëdha. Por ndoshta pas një kohë edhe Albin Kurti e kupton se pavarësia e Kosovës e forcon Shqipërinë.