Sa nje kafe nga Iva

Mirë, ata mos i hëngshin, por dhe juve ju thafshin!

Nga Iva Tiço/Në rrjet u bëhet gjyqi çdo ditë të gjithëve: që nga vajzat e ekranit e modelingut, që duke postuar vetëm një fotografi në shumicën e rasteve, pa asnjë fjalë shoqëruese, bëhen titull portali, dhe deri tek ata që bëjnë e thonë gjëra të caktuara sipas profesionit. “Kujt i plasi për këtë”, është më i zakonshmi ndër lexues, që edhe pse nuk u plas, nuk dihet pse vijojnë të ndjekin portalet dhe nuk merren me diçka për të cilën u plas e u jep kënaqësi dhe deri tek sharjet me fjalor banal e mallkime gjithëfarësh… Ndër to, ajo që shoh të rritet fuqishëm me kalimin e kohës, është tendenca për të sharë njerëzit e pasur të këtij vendi. Listat e botuara nga Monitor, sipas shifrave zyrtare, shoqërohen çdo vit me një numër ta pafundëm sharjesh e mallkimesh. E bashkë me të, tituj të ndryshëm për personazhe publikë, ku vihet në dukje ndonjë shpenzim apo argëtim i pasur, arrijnë të provokojnë një valë të frikshme negativiteti.

Po pse i kemi kaq inat të pasurit?

E kuptoj zilinë, ambicien, dëshirën. Kur shoh postimet e Chiara Ferragnit ka raste që dhe unë do doja të isha në hotelet prej nga ajo bën pushimet, apo të kisha shumë prej rrobave të saj. Por kaq, nuk më ka shkuar kurrë mendja t’i them “mos i hëngsh!” apo “vdeksh!”… E pashë sot që kishte postuar një peliçe fantastike dhe ishte diku në Alpe. As e mendova t’i shkruaja “sa familje në botë mund të ishin ushqyer me lekët e asaj peliçeje dhe sa të pastrehë mund të fusnin kokën brenda me aq sa kushton dhoma e hotelit” (nuk më shkoi mendja as të bëja moral nën petkat e animalistes). Ky është kapitalizmi, kjo është e vërteta: Chiara dhe të pasurit e tjerë nuk ia morën të mirat që gëzojnë njerëzve të tjerë. Përkundrazi, kanë pasur ide, kanë punuar, kanë sakrifikuar, kanë rrezikuar shumë, kanë kaluar strese e net të pagjuma, nuk kanë bërë festa apo nuk kanë mundur të kalojnë pasdite e buzëmbrëmje me familjet e të dashurit, ndërkohë që paguajnë taksa, tatime, punësojnë njerëz nëpër bizneset e tyre apo dhe për t’u përkujdesur për shtëpinë, paguajnë rroba, blejnë dhe konsumojnë produkte që të tjerë njerëz prodhojnë dhe të tjerë shesin… Pra, lëvizin para, që rrisin mirëqenien e përgjithshme, edhe nëse nuk bëjnë bamirësi direkte duke financuar kauza të caktuara, janë krejt në rregull, kanë bërë atë që duhet.

Bamirësia vërtet ia vlen, por nuk është ajo që zgjidh gjithçka. “Nuk mbahet shtëpia me miell hua”, thoshin të vjetrit, që pa bërë analiza ekonomike dhe pa pasur idenë e skemave sociale, e kanë ditur që ata që s’kanë nuk ndihmohen vërtet duke u shpënë një herë në kaq trasta me ushqime, por duke kërkuar dhe krijuar mundësi punësimi, për një jetë dinjitoze. Dhe mbi të gjitha, ne nuk e dimë kush bën bamirësi dhe jo: jo gjithçka bëhet në sy të kamerave. Madje, shumë punë të mira bëhen në modesti, pa asnjë gjurmë publiciteti.

Por ja që në rrjetet sociale pakkush mendon kaq gjatë përpara së të komentojë. Unë kurrsesi nuk i shkruaj gjë Chiarës me shoqe, ama një zonjë nuk përton aspak të më lërë një koment të tillë, në një fotografi modeste timen, me një shportë ushqimesh dhuratë. “Po fëmijët që nuk kanë bukë të hanë? L”,- ishte komenti që duhet të më ngecë në fyt panetonen e dhuruar e që më kujton atë shprehjen e sime mëje, kur e vogël tentoja të dilja për të luajtur me bukën me gjalpë e reçel në dorë: “Haje në shtëpi, pastaj dil, se fëmijët e tjerë nuk kanë”. Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse në rrjet ka kaq shumë mllef e mëri ndaj atyre që kanë më shumë: vijmë të gjithë nga një kohë, ku ishim pak a shumë njëlloj në mizerjen dhe varfërinë tone, sa dhe gjalpi e reçeli konsideroheshin lukse që duheshin mbajtur të fshehura nga sytë e botës. Dhe tashmë, tridhjetë vjet më pas, shumë prej nesh e kanë humbur busullën e kur shohin fotografitë e një milioneri që është rritur në të njëjtën skamje, u duket e padrejtë që disa të kenë gjithçka e disa asgjë dhe as që e vrasin mendjen se pse rrugët që kanë marrë në jetë janë kaq të ndryshme. Që ta bësh këtë duhet që përtej asaj zilisë normale të kesh dhe mendje e zemër të hapur. Ose prakticitetin e gjysheve tona që i binin për shkurt: “Mos e ki zili e mos e mallko të pasurin, në mos do më japë dhe mua, së paku nuk do vijë të më kërkojë”. Tiranapost.al