Aktualitet

Ministria e Brendshme për protestën e opozitës nesër: Do i monitorojmë të gjithë, edhe policët

Ministria e Brendshme  me anë të një deklarate për protestën e nesërme të opozitës bën të ditur se të gjitha masat e ndërmarra do të monitorohen nga ekspertë të huaj. Sipas MB monitorimi i protestës do të jetë edhe për protestuesit edhe për  monitorimine e veprimeve të policisë.

Por në të njëjtën kohë Policia bën të ditur se do të veprojë sipas ligjit ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë.

Ministria e Brendshme thotë se respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar por njëherazi  do të mbështesë punën e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit.

Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, Policia e Shtetit njofton se do mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit, pavarësisht dhunës verbale dhe fizike të ushtruar ndaj saj në disa nga këto tubime.

Me kërkesën e Ministrit të Brendshëm, hartimi i këtij plani masash është bërë me mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë Policinë e Shtetit.

E gjithë veprimtaria e Policisë, ditën e nesërme do të asistohet dhe monitorohet, gjithashtu, nga ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Brendshme ju bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të mbështesin Policinë e Shtetit në ushtrimin e detyrës së saj dhe të distancohen nga individët me mendësi e prirje të dhunshme.

Gjthashtu  në njoftim thuhet se Policia do të veprojë sipas përcaktimeve ligjore ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë dhe do t’i përballë ata me ndëshkimin e duhur ligjor./TiranaPost.al