Kosova Politikë Te gjitha

Ministri Bushati ua thotë në ‘shtëpi’: Të vijohet me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, por me një durim strategjik


Një pikë e rëndësishme e diskutimit të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati me homologun e tij në Kosovë, Behgjet Pacolli ishte edhe ecuria e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Shqipëria e ka mbështetur në mënyrë konsistente të qëndrueshme këtë proces pavarësisht se kush ka qenë dhe kush është në krye të punëve të vendit në Shqipëri apo në Kosovë. Për sa i përket kësaj çështjeje, deviza jonë në Shqipëri është që Kosova është gjithmonë e para dhe kësaj devize besoj se i jemi përmbajtur me besnikëri, pavarësisht pozicioneve të ndryshme politike që aktorë të ndryshëm në Shqipëri mund të kenë për çështje të karakterit lokal. Kur vjen puna për këtë çështje, ne kemi demonstruar një unitet dhe solidaritet dhe jam i bindur që edhe mesazhet që dha sot Baca Behgjet, por edhe mesazhet edhe çështjet që janë diskutuar në takime dhe formate të ndryshme, flasin qartë për nevojën për të vijuar me këtë proces me durim strategjik, natyrisht edhe me kreativitet por me vendosmëri për të konsoliduar Kosovën dhe për të konsoliduar arritjet e mundimshme të saj”, theksoi ministri Bushati nga Prishtina, në një konferencë të përbashkët me homologun, Behgjet Pacolli.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Kosovë ku po zhvillon një vizitë zyrtare. Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, Zëvendëskryministrin e parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli, si dhe përfaqsues të spektrit politik në Kosovë./ Copyright Tiranapost.al