SPORT

Milot Rashica afër kalimit tek Newcastle United

21-vjeçari nga Vushtrria u transferua në Eredivisie direkt nga kampionati kosovar më 2015-ën, më saktësisht nga Llamkos Kosova, siç quhej atëherë. Në 77 paraqitje sulmuesi i krahut ka realizuar 13 gola dhe është njëri ndër më të mirët te skuadra holandeze.

Newcastle United do të ishte një destinacion shumë interesant për të, pas vlerësimeve që ka marrë në Holandë. Për momentin nuk ka asgjë konkrete rreth këtij transferimi të mundshëm dhe në njëfarë mënyre planet e Benitezit për përforcime të reja janë komplikuar edhe nga negociatat për marrjen e klubit nga pronarë të rinjë.

Në këto bisedime mund të ndërhyrjë edhe Chelsea, që Vitessen e ka partner formal dhe në njëfarë mënyrë skuadra holandeze është satelit i klubit londinez. Në fakt çdo shitje e madhe nga holandezët nuk mund të kryhet pa miratimin e skuadrës londineze, raporton SS.

Newcastle nuk është skuadra e vetme e interesuar për “asin” kosovar, pasi për të ka shumë interesim edhe nga dy skuadrat e mëdha italiane, Napoli dhe Lazio.

Nëse jo në janar, atëherë në edicionin e ardhshëm ndoshta Rashica do ta provojë veten në një kampionat më të fortë sesa ai holandez. Ofertat nuk po i mungojnë e ndoshta Rashicën që janar do ta shohim në një kampionat prestigjoz. /XH.K