Aktualitet

Miku i Berishës i shkon në zyrë Veliajt dhe e përgëzon për punën në Tiranë

Miku i Berishës i shkon në zyrë Veliajt dhe e përgëzon

Tirana do të jetë qyteti i parë në Shqipëri që piloton Shërbimin Vullnetar të Zjarrfikësve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Presidentin e shoqatës Austri-Shqipëri, Wolfgang Grossruck, si dhe një grup ekspertësh për të ndihmuar jo vetëm në hartimin e një legjislacioni që mbështet shërbimin vullnetar të zjarrfikësve dhe në zbatimin e tij.

“Jam shumë i lumtur që një mik i Shqipërisë, z. Grossruck, por edhe një ish-kryetar bashkie dhe një politikan karriere, që drejton shoqatën tonë të miqësisë, na ka sjellë disa nga kolegët me më shumë eksperiencë në çështjet e zjarrfikësve”, u shpreh Veliaj.

Presidenti i shoqatës Austri-Shqipëri, Wolfgang Grossruck u shpreh se Tirana ka ndryshuar shumë që nga vizita e tij e parë, duke përgëzuar kryebashkiakun Veliaj për punën. “Mendoj se është e domosdoshme, jo vetëm për sigurinë dhe luftën kundër zjarrit, por gjithashtu edhe për shoqërinë civile. Ne do të bëjmë më të mirën tonë, si dhe shpresojmë dhe jemi të bindur që do të na mbështesni me gjithë forcën tuaj. I uroj qytetarët e Tiranës, kam qenë këtu 25 vjet më parë dhe qyteti është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme. Ju uroj më të mirën për të ardhmen”, tha Grossruck.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ngjarje si tërmeti treguan edhe njëherë domosdoshmërinë për të planifikuar masat që duhen marrë në raste të fatkeqësisë. “Kur bie tërmet apo kur kemi një fatkeqësi të gjithë themi: Ku janë zjarrfikëset? Ku janë uniformat? Çështja është, po në ditët kur nuk ka tërmet? Na duhet të planifikojmë për ditën e fatkeqësisë. Një nga propozimet ka qenë Shërbimi Vullnetar i Zjarrfikësve, që do ta pilotojmë në Tiranë dhe shumë shpejt do të kemi edhe legjislacionin që mbështet shërbimin vullnetar, ashtu siç bëhet në Austri, ku patjetër që në zonat urbane është shërbimi publik i zjarrfikëses, por ama në zonat rurale, në zonat e largëta, aty ku kemi djegie masive në verë, patjetër që shërbimi vullnetar, i përbërë nga banorët e atyre zonave, është shumë më afër territorit dhe me pak mjete e shumë kurajo, mund të shërbejë përpara se mjetet të vijnë nga Tirana”, shpjegoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë sqaroi se disa nga propozimet lidhen për ta mbështetur këtë projekt jo vetëm në hartimin e legjislacionit, por edhe financiarisht./Tiranapost.al