Aktualitet Art & Kulturë Te gjitha

MIK Festival nën patronazhin e divës Inva Mula


Ajo është një yll që ka shkëlqyer në skenat botërore por që së fundmi e kemi parë gjithmonë e më shumë edhe në Shqipëri. Zgjedh Korçën për të nisur “MIK”, një festival i ideuar nga Inva Mula, që gjithë eksperiencën e saj si artiste e kalibrit ndërkombëtar, e skenave më të vlerësuara të muzikës klasike po e investon në vendin e saj. MIK, Muzika internacionale në Korçë do të zbarkojë nga data 25 deri në 29 Korrik 2018.

Nga Teatri i Operas dhe Baletit nën kostumin e regjisores, te “Virtuozët” si drejtore artistike dhe realizuese e një talent show që na ka lënë herë pas here pa frymë nga emocionet që kanë përcjellur talentet e rinj të jashtëzakonshëm, së fundmi sopranoja e njohur i propozon korçarëve, vizitorëve nga brenda dhe jashtë Shqipërisë një festival ndërkombëtar. Që padyshim nën kujdesin e saj do të bashkojë artin elitar me finesën dhe rëndësinë e traditës dhe kulturës shqiptare.

Nuk mund të fillonte pa vënë edhe njëherë në piedestal, ndoshta të vetmen Tefta Tashko Koço. Ta fillonim këtë festival me një kumtesë koncert”, thotë Inva Mula e cila zbulon dhe programin e ditëve të festivalit që do të ketë shumë larmi artistike.

Vend-takimi kryesor është “Pazari i Vjetër”, i dyti, Teatri “Andon Zako Çajupi”.

“Në një filozofi që shkon përtej një festivali, që është edukimi i një publiku që shkon përtej publikut profesionist me dashurinë për artin dhe kulturën, por edhe me trashëgiminë kulturore”, shprehet ministrja Mirela Kumbaro.

Nis në 25 Korrik. Pesë mbrëmje për tingujt  klasikë dhe figurat e njohura të muzikës shqiptare, muziken dhe kuzhinën franceze, serenatat, ballon vieneze dhe një koncert frymëzuar nga më të famshmit “Luciano Pavarotti and Friends” në versionin shqiptar “Inva dhe miqtë”. Dhe miqtë do të jenë të shumtë, plot surpriza dhe emocion për netë të paharrueshme në Korçë.