Politikë

Meta: Problemi u krijua se unë dola kundër Vettingut

Meta: Problemi u krijua se unë dola kundër Vettingut

Presidenti Ilir Meta bëri thirrje për një takim mes palëve, si një mënyrë për shmangur krizën politike në vend. Në një intervistë me gazetaren Beti Njuma në “Ora News”, Meta u shpreh lidhur me bisedimet mes opozitës dhe qeverisë:

“Mendoj që takimet janë të rëndësishme dhe janë të domosdoshme dhe të gjithë duhet të reflektojnë për të mos vazhduar askush nga pozitat e të fortit, atje në tehun e buzës së greminës. Atje këmba mund të rrëshqasë edhe pa dashje për të shkuar në një krizë të paparashikuara".

Nga ana tjetër, kreu i shtetit pranoi se problemet e mëdha të sistemit gjyqësor vijnë, sepse ai doli kundër Vetingut për Gjykatën Kushtetuese:

“Këtu një problem serioz ka qenë dhe mbetet mungesa e Gjykatës Kushtetuese, problemet e mëdha të sistemit gjyqësor që në bindjen time nuk vijnë nga reforma në drejtësi, por nga mënyra e njëanshme jashtë dialogut politik dhe në mungesë të respektit, parimeve kushtetuese dhe afateve kushtetuese, për krijimin në kohë të institucioneve që do ta kishin evituar një situatë të tillë. Më duhet të theksoj, për hir të së vërtetës dhe problemit që është krijuar se unë kam qenë kundër Vetingut për Gjykatën Kushtetuese, kur ka nisur procesi i reformës në drejtësi. Kam patur shqetësimin që mund të kemi një situatë, ku të kemi një anëtar që ka mbaruar mandati, po qoftë edhe 2-3 të mungojnë nuk është pak për një trup kaq të kufizuar dhe me kaq përgjegjësi siç është Gjykata Kushtetuese”./ Tiranapost.al