Politikë

Meta i bën mesazh Bashës që të hyjë në zgjedhje

Meta i bën mesazh Bashës që të hyjë në zgjedhje

Nuk bën më thirrje për kryeministrin Edi Rama, por mesazhet tani i drejtohen vetëm kreut të opozitës, Lulzim Bashës.

Presidenti Ilir Meta shkruan sërish një status në Facebook që i drejtohet kryedemokratit Basha që të marrë pjesë në datën e zgjedhjeve të dekretuar prej tij, në 13 tetor. Ndërsa e krahason Ramën me  Millosheviçin, Meta shkruan se opozita duhet të bashkohet që ta rrëzojë nga pushtetit.

"Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten. Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra.

Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës. Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi. Çdo gjë tjetër është justifikim, alibi dhe bashkëfajësi! 18 tetori po afron!", shkruan Meta në Facebook./ Tiranapost.al