Aktualitet

Meta e shpalli 'non grada', Borchardt komenton vendimin e presidentit

Meta e shpalli 'non grada', Borchardt komenton vendimin e presidentit

Kreu i shtetit, Ilir Meta njoftoi sot se ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, nuk është më i mirëpritur në Presidencë.

Pas këtij vendimi të presidentit Meta, ambasadori Borchardt u përgjigj shkurt për gazetarët teksa hynte në një takim në selinë e PD-së: “OSBE organizatë legjitime në Shqipëri. Më lini të qetë!”.

Ndërsa për këtë çështje, sekretari i Asamblesë së OSBE, Roberto Montella, u shpreh se nuk preferonte të komentonte vendimin e presidentit. Zyrtarët e OSBE-së ishin të pranishëm në një takim me aleatët e PD në selinë blu, ku iniciatori i kësaj tryeze ishte kryetari Lulzim Basha.

Presidenti jepte në letrën drejtuar zyrës qendrore të OSBE-së në Kopenhagë dy veprime të Borchardt, e para lidhur me faktin që ai vuri në diskutim dekretin e 5 muajve më parë të presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore dhe e dyta për gjestin e gishtit që mesit që u tregoi disa protestuesve.

Shkresa e Metës:

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë i paraqet komplimentat Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se:

Z.Bernd Borchardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë përfiton nga rasti për t'i shprehur Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të MEPJ në Tiranë dhe vlerësimet e konsideratës më të lartë.

Ambasadori Borchardt tha lidhur me vendimin për anulimin e 30 qershorit se u takon institucioneve shqiptare të zgjedhin cila palë ka argumentet më të mira ligjore. Sipas kryediplomatit, çfarë po ndodh është çështje mes Parlamentit, Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa gjesti ndodhi në 13 tetor në zonën "Myslym Shyri", për të cilën ambasadori kërkoi edhe falje./ Tiranapost.al

http://www.tiranapost.al/meta-e-shpall-non-grata-balla-per-news-24-degradim-i-presidentit/