Aktualitet

Mesazh për Nanon nga Kongresi i PS

Prej kohësh është larguar nga politika, por mbetet një nga figurat më në zë të PS-së, në vitet e pluralizmit politik. Fjala është për ish-kryeministrin Fatos Nano, që edhe pse në hije, nuk i ka munguar vëmendja mediatike, disa prej të cilëve të iniciuar edhe prej tij.

Por sot ka qenë Kryeministri Edi Rama, që si rrallë herë, ka sjellë në vëmendje ish-kryesocialistin. Nga Durrësi ku PS prezantoi programin elektoral, Rama tregoi mirënjohje dhe falënderime për Nanon por pa u thelluar më tej.

“Kjo është gara më e vështirë e PS. Me këtë rast përshëndes Fatos Nano nga këtu ku jam”, nënvizoi Rama.

Edhe pse zyrtarisht ai vazhdon të qëndrojë i tërhequr nga politika, Nano e ka gjithmonë një sy për nga çfarë po ndodh.

Ndoshta edhe si një “as nën mëngë” dhe negociator i heshtur, Fatos Nano është bërë pjesë edhe e negociatave për zgjidhjen e krizës politike në vend. Pak ditë më parë, Nano takoi kreun e PAA-së, Agron Duka.

Ky takim u pranua nga vetë Duka, ndërsa në media u aludua se këshilla e ish-Kryeministrit për opozitarin ishte të merrte pjesë në zgjedhje dhe të mos ndiqte pas PD-në dhe Lulzim Bashën. E.C/Tiranapost.al