Aktualitet

Mes Luanës dhe Marinës, unë do hidhja nga shkëmbi Marinën

Alma Kristo/ Dy bukuroshet motra mezi i kemi dhe mos i gjettë asgjë e keqe, por këtë pyetjen se kë do hedhësh nga shkëmbi e bëjmë në mënyrë krejt simbolike për dy të ngjashme si ato të dyja. Marina dhe Luana Vjollca janë duke prezantuar projektet më të rëndësishme të karrierës së tyre në dy televizione rivalë dhe krahasimi mes të dyjave është i pashmangshëm.

[caption id="attachment_152942" align="aligncenter" width="373"](Luana dhe Marina, foto nga Instagrami)[/caption]

Njëra të shtunën e tjetra të dielën, kanë në duar dy programe në prime time në dy ekranet më të mëdhenj rivalë. Luana “Shiko kush luan” në Top Channel dhe Marina “C’est la vie” në TV Klan. Kush do ta kishte menduar se pas kërcimeve mbi tavolinën e Fiks Fare, dy ish-velinat do ngjisnin shkallë të vogla për të rrëmbyer pastaj programe të fundjavës në darkë? Ja që dy motrat dolën material i vlefshëm për televizionin. Të bukura dhe seksi po e po, por edhe aq ndjellëse sa mediat i ndanë hesapet në fillim: dy vajzat shesin! Kjo është gjuha e përdorur nga shtypi kur një personazh është aq tërheqës sa të të shesë kopjet e gazetës, revistës, hapësirën publicitare dhe në fund të të sigurojë klikimet. Ndaj edhe lajmet për Luanën dhe Marinën rrjedhin si lumë: çfarë veshi, si e veshi, me kë ishte, çfarë i tha, pse ia tha... Por edhe ato vetë nuk është se rrinë në hije. E njohin mirë fuqinë e Instagramit si një karrem i përkryer për të krijuar një imazh siç duan vetë. Dhe dy motrat e kanë krijuar të ndryshëm nga njëra-tjetra, sado të ngjashme të na duken ne, nuk janë dhe aq.

[caption id="attachment_152943" align="aligncenter" width="380"](Luana Vjollca, foto nga Instagrami)[/caption]

Luana, bomba seksi, provokuese, që di ta luajë aq mirë lojën tërhiqe mos e këput, mes tufave gjigande me trëndafila dhe adhuruesve misteriozë, ndëryrjeve plastike që s’i pranoi kurrë, këngët që vazhdon t’i këndojë edhe kur të gjithë i thonë se s’ke zë, tymit që i shkon drejt, pavarësisht se ç’thuhet e ç’shkuhet. Gjithçka ajo di ta vendosë në interes të saj, edhe kur e shajnë edhe kur e qësëndisin, pa kthyer kurrë fjalë. Kemi një bindje që stilistët do na mbështesnin po të themi se edhe veshjet e saj kalojnë me disa viza dozën e të qenit seksi. Edhe grimierët ndoshta do thoshin se Luana do dukej më mirë e lyer më pak. Por pavarësisht të gjithave, ajo shkrihet mirë në atë program. Ndaj edhe në provën e saj të madhe si prezantuese dhe bashkautore e “Shiko kush luan”, Luana del fituese. Mund të bëjë gafa pa hesap, mund të ketë një fjalor jo dhe aq të gjerë, mund t’u thotë trofeve pjata dhe personazhit përsonazh, të mos dijë që Londra është Angli, por është e çlirët. Ose për të qenë më të saktë, kënaqet dhe vetë aty, pa bërë as të zgjuarën e dheut e as divën e paprekshme, është e natyrshme dhe nuk mundohet të bëjë atë që nuk është.

[caption id="attachment_152938" align="aligncenter" width="409"](Marina Vjollca, foto nga Instagrami)[/caption]

Mund ta ndërrosh me shumë dëshirë me motrën e saj Marinën, e cila ndryshe nga Luana, nuk parapëlqen të duket seksi me çdo kusht, por të ketë një tjetër profil: serioz dhe të rëndësishëm. Në Instagram ka dhjetëra foto plazhi por asnjë me bikini. Është pak më e rezervuar, pavarësisht se e ka nuhatur prej kohësh interesin që mediat kanë për figurën e saj. Doza që u shtuan e arritën majat pas lajmit të lidhjes së saj me reperin kosovar Getoar Selimi. Bëri lajm çdo lëvizje e tyre, çdo foto e çdo koment i njëri-tjetrit nëpër foto, derisa kulmoi me dasmën e shumëpërfolur, që bashkë me zhvendosjen e Marinës nga Topi në Klan e çuan në majë interesin për bjonden e ëmbël. Klani e përgatiti me sensacion marrjen e Marinës, aq sa na u duk se e morën njëherë ta kishin gjendje, pa i gjetur ende se çfarë programi do t’i besonin, duke e shitur si blerjen e vitit. Derisa u vendos që për Marinën të rikthehej “C’est la vie” e vëllezërve Laço. Suspansa që pasoi mes spotesh e lajmesh, na bëri që të prisnim gjithë sy e veshë Marinën. Ndoshta edhe ajo e ka ditur mirë këtë dhe emocionet e skenës së madhe nuk i fshehu dot, edhe pse u përpoq aq shumë t’i ndrydhte pas zërit e lartë, për të cilin u ankuan të gjithë në rrjet, dhe ia kaloi edhe Alketës duke përsëritur pa fund “Faleminderit shumë”. Me gjithë veshjet serioze, të mbyllura deri në fyt dhe pa asnjë ngjashmëri me motrën e saj në mënyrën e prezantimit, Marina nuk e ka lirshmërinë e Luanës. Ndoshta do duhej që më parë të kishte bërë pak stërvitje siç Luana bëri me “Pa limit” dhe të mos dilte në një skenë të madhe direkt pas studios së vogël të emisionit sportiv, që po të mendosh se transmetohej në një ditë depresive si e hëna, që mezi presim ta heqim qafe, nuk e krahason dot kurrë me peshën që ka një spektakël i një dite si e diela në darkë. Duke u përpjekur t’i qëndrojë besnike skenarit që e lexon në promterin e madh përballë, Marinës i humbet spontaniteti, që Luana e ka me shumicë. Ndërsa në përpjekjen për të mbajtur nën fre emocionet, humbet vëmendjen ndaj atyre që thonë të tjerët. Ndoshta ngaqë Marina ka spektakël më serioz sesa loja e Luanës, që i lejohen të gjitha, por megjithatë, nëse do na vinin para zgjedhjes së njërës prej motrave, ne “hedhim nga shkëmbi” Marinën./Tiranapost.al