Aktualitet

Mërzia si ndjesi e pamjaftueshmërisë

Mbi librin “Mërzia” të Alberto Moravia/ A ia vlen të rebelohemi ndaj jetës, apo ta pranojmë siç na vjen? Dino tentoi të rebelohej, por pa sukses. Veprimet e tij ishin të çartura, pa lidhje me njëra-tjetrën, kontradiktore e të sforcuara. I mbërthyer nga zinxhirët e mërzisë, ai dështon edhe të rebelohet!

Nga Erjon Uka/ Mërzia nuk është vetëm e kundërta e lumturisë. Madje ky është kuptimi më i cekët i saj, vetëm maja e një ajsbergu që nuk e shohim. Mërzia mund të jetë më shumë, në çdo moment të së përditshmes sonë. Mund të jetë një lloj pamjaftueshmërie ose papërshtatshmërie, e madje edhe mangësi e realitetit. Mund të jetë edhe sëmundje ndaj sendeve, ose humbje e gjallërisë. Thënë thjesht, mërzia mund të jetë ajo ndjesia turbulluese që shkakton jorgani i shkurtër në një ditë dimri. Ashtu sikundër mund të jetë edhe ndërprerja e rrymës elektrike në shtëpi. Përqëndrohuni për një çast të shihni kolltukët, dollapët, raftet, pikturat, perdet dhe dritaret, e për një sekondë të ketë vetëm terr e zbrazëti.

Kjo është mërzia, dhe të gjitha këto janë kuptimet që Dino, personazhi i Alberto Moravias në romanin “Mërzia” i jep kësaj ndjesie. Me një përshkrim realist e linear të personazheve dhe atyre pak ngjarjeve që ndodhin rreth tyre, Moravia i kushton një ndër veprat e tij kryesore kësaj ndjenje apatike, që përkthehet në paaftësi për të krijuar marrëdhënie me të tjerët në çdo nivel.

Këtë rol e merr përsipër Dino, një piktor me shumë pasuri nga e ëma, por që vazhdimisht e refuzon realitetin ku ndodhet. Ai përfaqëson njeriun që nuk ka mundësi të rifitojë zotërimin e jetës së tij, duke e kthyer atë në të kotë. I goditur nga pafuqia, dhe nga mërzia, veprimet e tij janë në kufijtë e patetizmit edhe kur takon një modele të re të quajtur Çeçilia. Ajo nga ana e saj është cinike e oportuniste, një vajzë e re që kërkon të eksperimentojë, të dëfrehet, të plotësojë epshet pavarësisht se kë ka përballë. Është ekzemplari më i mirë i gruas-djall, e gruas fatale, që mëgjithëse ende fëmijë para Dinos, e bindur se ai tashmë është marrosur pas saj, luan me të pa mëshirë.

Dhe Dino e pranon këtë fakt, madje edhe kur zbulon se ajo ka një të dashur tjetër. Vazhdon ta mbajë me para, ndërsa refuzimin e këtij realiteti nuk e kërkon te partnerja e tij, por te vetëvrasja. Dështon. Dështon të vetëvritet ashtu sikundër dështon të jetë piktor, të jetë partner, të rregullojë jetën e tij.

E në këtë pikë shtrohet pyetja: A ia vlen të rebelohemi ndaj jetës, apo ta pranojmë siç na vjen? Dino tentoi të rebelohej, por pa sukses. Veprimet e tij ishin të çartura, pa lidhje me njëra-tjetrën, kontradiktore e të sforcuara. I mbërthyer nga zinxhirët e mërzisë, ai dështon edhe të rebelohet!

“Mërzia” është një libër për zhgënjimet dhe dështimet, por nuk është i sertë, se sa është një analizë perfekte mbi ndjenjat negative me të cilat përballet çdo ditë njeriu modern. Është letërsi që ecën në shtigjet e psikanalizës, në një rrugëtim labirintesh mendimi. Një ekzemplar i denjë i ekzistencializmit në letërsi, të nisur më parë nga Sartre./Tiranapost.al