Aktualitet

Mercenarë rusë po armatosin separatistët serbë në Bosnjë me qëllim destabilizimin e rajonit

Këtë informacion e ka shpërndarë gazeta “Zurnal” në Sarajevë dhe u konfirmua nga vetë Ministri i Sigurisë të shtetit të ndarë në dy pjesë, mes boshnjakëve myslimanë dhe serbëve ortodoksë...

Mercenarë rusë po kontribuojnë në krijimin e një njësie paramilitare të serbëve që jetojnë në territorin e Bosnjë-Hercegovinës me qëllim krijimin e një lufte separatiste që do të krijonte sërish destabilitet në rajonin e brishtë dhe plot me konflikte etnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këtë informacion e ka shpërndarë gazeta “Zurnal” në Sarajevë dhe u konfirmua nga vetë Ministri i Sigurisë të shtetit të ndarë në dy pjesë, mes boshnjakëve myslimanë dhe serbëve ortodoksë. Ministri Dragan Mektiç është shprehur se inteligjenca boshnjake ka disa kohë që është vënë në dijeni të prezencës dhe operacioneve të këtij grupi. Ky lajm vjen në një kohë kur duket se NATO do të shtojë prezencën e saj në rajon me një anëtarësim eventual të Shkupit, pas zgjidhjes së problemit të emrit me Greqinë dhe pas hyrjes së Malit të Zi vitin e kaluar që u shoqërua me tensione të brendshme dhe komplote për grusht shteti.

Ditën e enjte lideri i serbëve të Bosnjës i njohur për qëndrimet e tij nacionaliste dhe radikale kryesoi një paradë ushtarake në Banja Luka, një veprim që është kundër kushtetutës së Bosnjë-Herecegovinës. Sipas raportimit të “Zurnal”, njësia paramilitare e stërvitur nga mercenarë rusë emërtohet “Nderi i Serbisë” dhe përbëhet kryesisht nga njerëz të rekrutuar prej botës kriminale serbe. Në shkrimin e gazetës të Sarajevës shfaqen edhe disa foto të disa prej ushtarëve që po stërviten në territorin gjysmë-autonom të Banja Luka-s në zonën e njohur si “Republika Serbe”.

Bosnja është një shtet që zyrtarisht aspiron anëtarësimin  në NATO, por opozita e përhershme dhe shumë e ashpër serbe e bën pothuajse të pamundur realizimin e këtij vizioni për Sarajevën.

Edhe ditën e djeshme, Presidenti i Komisionit europian Jean Claude Juncker paralajmëroi se për Ballkanin Perëndimor nuk ka rrugë tjetër, përveç integrimit për shkak se rrezikohet nga pasiguria dhe konflikti. Në bazë të çdo indikatori rreziku rus për Ballkanin është tashmë një fakt.

K.H/ tiranapost.al