• Shqip
  • English
  • E premte, 19 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Kontribues Të gjitha

    Më mirë të lumtur!


    “Shija e bukës mbrume” është një nga veprat e fundit të Ernest Koliqit, një autor që e pengoi diktatura dhe që m’u ndërmend në inbox prej Aidës, që flet me theks shkodran, e panjohur, por me shpirt letrar dhe ndjekëse e tiranapost.al

    Nëse do shkosh ta lexosh tani, do kuptosh sesi në vitin ’30, si në ’60, kur i dha fund “Shijes së bukës mbrume”, Koliqi, themeluesi i tregimit, flet për shqiptarë e një Shqipëri që e shohim sot. Një Shqipëri, që në themele të saj ka urrejtjen dhe pamundësinë për t’u bërë bashkë në emër të një shteti më të fortë. ‘Zemra t’mbushuna me vner e helm, gojë që çilen në mallkim e duar që qiten në kërcënim…’

    Një tregim që tregon se asgjë nuk është rastësore, se sot jemi të gjithë dëshmitarë të një pluhuri që është formë mbijetese në Shqipërinë tonë. Urrejtja po bëhet lifestyle në shoqërinë online, Twitter, Facebook, zyra shteti, redaksi lajmesh, revistash, bashki, dyqane parfumesh, kioska salsiçesh, taksish…

    Urrejtjen, që po mbillet e po forcohet si ajo nyja gordiane me lëkurën e thanës (legjendë greke) që forcohej me kohën dhe që Aleksandri i madh mundi vetëm ta zgjidhte e të pushtonte Azinë, nuk e pushon asnjë gjykatë, as reformë apo formë po deshët.

    Urrejtjen që po hedhim, si parfum si do ta largojmë? Atë për të cilën shkruan të gjithë, që nga rilindasit apo edhe më i madhi i kohërave që e kemi në mes tonë, Ismail Kadare, e që s’dihet prej çfarë trishtimi nuk flet e nuk thotë një fjalë në këto kohë të lemerishme.

    A ka shumë rëndësi se kush do ndëshkohet? A mund të jetë amnistia një udhë? Është thikë me dy presa edhe pse si grua anoj nga falja, dhe besimi se kapitujt e rinj me fytyra të reja mund ta ndryshonin jo për pak vite, por për tre muaj një vend të vogël tremilionësh.

    A mundet amnistia ta zbut këtë vend me kaq shumë vner, apo e kundërta e saj mund të jetë zgjidhja. Këto janë përgjigje që i jep koha dhe mendjet e ftohta e profesionistët e akullt të drejtësisë.

    Por në ka një gjë që e besoj është se lumturia e një kombi mund të ndodhë kur rrudhim egoizmin.

    Nëse drejtësia kërkon kaq shumë luftë, kaq shumë të ‘vrarë’ ky operacion i vështirë që duket idealist dhe i mrekullueshëm nëse ndodh, por gjithmonë nëse në fund s’do kenë ‘vdekur’ ( në kuptimin figurativ) të gjithë, më mirë të jemi thjesht të lumtur!

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]