• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 18 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Lexo Enver Robellin në TIP Opinion Të gjitha

    Me «karakter vullkanik»: Çfarë mund të pritet nga kryediplomati i ri i BE-së, spanjolli Josep Borrell?


    Nominimi i ministrit të Jashtëm spanjoll Josep Borrell ka shkaktuar reagime të ndryshme – në Kosovë shumë njerëz janë të shqetësuar, sepse Madridi kundërshton shtetësinë e Kosovës, disa vëzhgues të huaj supozojnë se tani Borrell do të jetë i detyruar të bisedojë edhe me politikanët kosovarë.

    Nga Enver Robelli

    Mbi 50 orë zgjati në Bruksel kërkimi i emrave për postet më të rëndësishme të Komisionit Europian (KE). Tani vendimin do ta marrë Parlamenti Europian. Për postin e shefit të diplomacisë së BE-së është paraparë Josep Borrell. 72-vjeçari aktualisht është ministër i Jashtëm i Spanjës, ai është katalonas, por hedh poshtë pavarësinë e Katalonisë. Në një intervistë për mediat gjermane Borrell ka thënë se në fshatin e tij të lindjes La Pobla de Segur ai shikohet si tradhtar dhe nuk mund ta vizitojë më.

    Borrell është politikan i kontestueshëm. Diplomatë nga Europa Lindore i thanë gazetës britanike «Financial Times» se Borrell vitin e kaluar lidhi një marrëveshje të dyshimtë me Rusinë mbi sigurinë kibernetike. Kjo është paksa ironike për shkak se zyrtarët spanjollë dhe mediat kishin akuzuar Rusinë se kishte mbështetur «separatistët katalonas» përmes një fushate sistematike të dezinformimit.

    Si i ngarkuar i BE-së për punët e Jashtme Borrell do të pasojë italianen Federica Mogherini, e cila si ndërmjetësuese mes Serbisë dhe Kosovës ka vepruar me mendjelehtësi: ajo përkrahu një shkëmbim territoresh mes të dy shteteve me shpresën se Beogradi do të pajtohej me shkëputjen e Kosovës. Mogherini i lejoi kryetarët e Kosovës dhe të Serisë të zhvillojnë negociata të fshehta për atë që po quhet «korrigjim kufijsh». Kjo ide tani për tani është hequr nga tavolina e bisedimeve, sepse shumë shtete perëndimore, mes tyre Gjermania dhe Britania e Madhe, frikësohen se prekja e kufijve mund të ketë efekt zinxhiror në Ballkan.

    Nëse Josep Borrell zgjidhet nga parlamenti europian, ai duhet të marrë përsipër edhe dosjen e Kosovës. Në Prishtinë kjo nuk është pritur me entuziazëm, sepse Madridi kundërshton pavarësinë e Kosovës. Prej se parlamenti i Kosovës më 17 shkurt 2008 ka shpallur pavarësinë nga Serbia me bekimin e shumicës së shteteve të BE-së dhe SHBA-ve, asnjë zyrtar spanjoll nuk e ka vizituar Prishtinën. Spanja dhe katër shtete të tjera të BE-së (Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro) nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Prej se katalonasit kërkojnë më zëshëm pavarësinë, Spanja saboton rregullisht politikën e përbashkët të BE-së ndaj Kosovës. Para samiteve të BE-së Madridi insiston që Kosova të mos përmendet në asnjë dokument zyrtar si shtet.

    Gjatë një vizite në Beograd në mars Borrell tha se Spanja do të qëndrojë në anën e Serbisë sa i përket Kosovës. Njëkohësisht ai kërkoi një zgjidhje kompromisi, pa treguar se cili mund të jetë ky kompromis. Kryetari serb shprehu kënaqësinë e tij me nominimin e Borrellit. Në Prishtinë pati zëra nga qeveria që kërkuan që mes Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësojë shefja e ardhshme e KE-së, Ursula von der Leyen. Eksperti i Ballkanit James Ker-Lindsay nga London School of Economics (LSE) shkroi në Twitter se Borrell – i cili ka qenë president i parlamentit europian nga viti 2004 deri 2007 – me gjasë është personi i duhur për të gjetur një zgjidhje: spanjolli gëzon besueshmëri në Beograd dhe ai e di se është e domosdoshëm një kompromis.

    Autoritetet spanjolle refuzojnë të pranojnë simbolet e Kosovës dhe nganjëherë edhe dokumentet e udhëtimit të shtetit të ri. Ne fillim të vitit ndodhi një skandal: një raund i kampionatit europian të futbollit të U-17 duhej të mbahej në Spanjë, por kjo s’ndodhi për shkak se autoritetet e atjeshme ndaluan flamurin e Kosovës. UEFA qe e shtyrë që turnirin ta transferojë në Nyon të Zvicrës. Në prill 2018 Spanja e humbi organizmin e kampionatit europian të juniorëve për peshëngritje për shkak të qëndrimit kryeneç ndaj Kosovës. Në fund të vitit 2008 ministria e Jashtme në Madrid lëshoi pak pe. Sportistët nga Kosova u lejuan të marrin pjesë në kampionatin botëror të karatesë, por pa flamur. Ata bartnin në shpinë inicialet e kombëtares së tyre (KKF), pas emrave të atletëve në tabela u shfaq shkurtesa e federatës botërore WKF. Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) reagoi me zemërim: «Nëse qeveria e Spanjës nuk është në gjendje të garantojë qasjen në gara për çdo sportist – jo vetëm për ata të Kosovës -, ne do të duhej t’i paralajmëronim të gjitha federatat ndërkombëtare se nuk duhet të organizojnë më gara në Spanjë derisa të zgjidhet problemi», tha Pere Miro, zëvendës i drejtorit të përgjithshëm të IOC-së. Kosova është anëtare e IOC-së që nga viti 2014.

    A do t’i zgjidh Borrell këto probleme? Ndoshta. Ose ndoshta jo. Gazeta spanjolle «El Mundo» shkruan se Borrell disponon me një «karakter vullkanik» dhe një «kornizë shumë të ngushtë të durimit». Borrell është veteran i politikës, ai, sipas mediave gjermane, i përket gjeneratës së politikanëve socialistë si Javier Solana, Joaquín Almunia dhe Pedro Solbes. Në Bruksel ka zëra që thonë se Borrell për shkak të moshës nuk do të mund të udhëtojë aq shpesh sa Federica Mogherini./ Marrë nga dialogplus.ch/ Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690