• Shqip
  • English
  • E premte, 23 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Botë Lexo Enver Robellin në TIP Të gjitha

    Më e rëndësishme veshja se truri: Mbi demontimin e një gruaje në politikë


    Esencë editori/ Shefja e socialdemokratëve gjermanë Andrea Nahles u largua furishëm nga politika gjermane, duke ua përplasur për hunde arrogancën atyre burrave që merreshin edhe me veshjen e saj. Mediat në Gjermani kanë reaguar të tronditura mbi trajtimin destruktiv të grave në politikë. Me gjasë duhma e shekujve të kaluar vështirë hiqet nga katet e udhëheqësve, të cilët më shumë merren me fustanin e një politikaneje se sa me përmbajtjen e asaj që thotë.

    Nga Enver Robelli/ Andrea Nahles nuk arriti të ndërpresë trendin e humbjeve të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Ajo bëri gabime, siç bëjnë edhe politikanët burra kudo, madje edhe në Gjermani. Megjithatë, largimi i saj i furishëm nga të gjitha postet e rëndësishme politike, pra nga posti i kryetares së SPD-së, shefes së grupit parlamentar dhe deputetes në Bundestag, tregon se ajo ndihet e lënduar thellë edhe për shkak të sjelljes tejet arrogante të burrave në partinë e saj. Partia që lavdërohet për solidaritet ndaj shefes së saj u soll me mungesë totale të solidaritetit. Pas dorëheqjes së saj, tani disa burra kanë derdhur lot krokodili.

    Sa ishte kryetare e SPD-së, Nahles u kritikua, për shembull, për veshjen e saj dhe për gjuhën nganjëherë jo aq të kulturuar. Por, a kritikohet ndonjë burrë në politikë nëse ai bart përherë kostumin e tij të zi apo të përhimtë? Apo për shkak të ndonjë anekdote pa shije, seksiste, përbuzëse ndaj grave? Në një koment të gazetës «Süddeutsche Zeitung» njoftohet se kryetarja e re e partisë konservatore, CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer, nuk po shfaqet më në opinion e veshur me fustan, por vetëm me xhaketë dhe pantallona. Me gjasë të dalësh në konferencë për media e veshur me fustan, nuk lë përshtypje se je politikane me autoritet. Kjo vetëm si përfytyrim është e tmerrshme, por, fatkeqësisht, ende e vërtetë – si në Gjermani, si në vendet e Ballkant, ku seksizmi dhe reduktimi i grave në politikë vetëm në kukulla pa tru është edhe më i theksuar.

    «Süddeutsche Zeitung» përmend shembullin e Jill Abramson, e cila s’qëndroi në krye të New York Times si kryeredaktore as tri vjet të plota. Abramson e drejtoi gazetën siç e drejtuan edhe paraardhësit e saj: duke dominuar dhe duke mos komunikuar aq. Por standardet që aplikohen kur një grua është shef dhe kur një burrë është shef janë të ndryshme. Dhe problemi qëndron te seksizmi. Edhe kur një grua udhëheq pa asnjë gabim, në fund problem do të jetë fustani i saj, çanta, syzet e diellit, flokët e gjata apo të shkurtra. E kështu me radhë. Në katet e sipërme, atje ku janë zyrat e shefave, ende të shpon hundët duhma e shekujve të kaluar, kur burrat lejonin afër vetes vetëm një «sekretareshë», të cilës çdo javë do t’ia tregonin anekdotat e njëjta me aludime të neveritshme.

    Diskriminimi i grave dhe reduktimi i tyre në role të caktuara vazhdon të ekzistojë, përkundër gjithë atij gjoja përparimi që ka shënuar bota në dekadat e fundit. Kryeministrja e Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt, u quajt nga mediat e bulevardit «Gucci-Helle». Kur zbriste nga vetura, kamera fokusohej te këmbët e saj, flitej për veshjen e saj dhe për gjoja një flirt me Barack Obamën.

    Kush mendon se seksizmi ekziston vetëm te politikanët konservatorë, reaksionarë, të djathtë, e ka gabim. Një politikan socialdemokrat në landin e Tirolit të Austrisë në vjeshtën e vitit të kaluar gjatë një debati tha: «Tani nuk do dëshiroja ta paramendoja horizontalisht kolegen deputete». Kolegia të cilës ai i drejtohej me këto fjalë të ndyra, nuk ishte e pranishme në mbledhje për shkak se ishte e sëmurë. Kur një grua nuk shkon në parlament për shkak se është e sëmurë, ka burra që mendojnë se ajo nuk është e sëmurë, por po qëndron në shtëpi për aktivitete horizontale.

    Edhe më mizor ka qenë vitin që shkoi një politikan konservator austriak (me origjinë turke), i cili në pyetjen e një përdoruesi të Twitterit se si është bërë sekretare e shtetit në Berlin politikania me origjinë palestineze, Sawsan Chebli, shkroi: «Pa shikoja gjunjtë njëherë, ndoshta aty e gjen përgjigjen». Pas këtij postimi, politikani konservator austriak u përjashtua nga grupi parlamentar dhe kancelari i atëhershëm Sebastian Kurz kërkoi falje. Një ngushëllim i vogël, që nuk e ndryshon pothuaj aspak gjendjen në skenën politike dhe trajtimin e grave në atë skenë. /Tiranapost.al/