• Shqip
  • English
  • E premte, 23 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Shëndeti Ynë i Mendjes Të gjitha

    Më Dëgjo!


    Arilda Dushaj, PSIKOLOGE KLINIKE/ Kur ka qenë hera e fundit që keni ndjerë se jeni dëgjuar nga të tjerët? Kur ka qenë hera e fundit që jeni përfshirë në një bisedë të thellë, të hapur apo të sinqertë? Ose kur ka qenë hera e fundit që jeni ulur dhe keni dëgjuar realisht dikë tjetër?

    Në shumicën e rasteve përgjigjia e këtyre pyetjeve është shumë kohë më parë ose në një ekstremitet tjetër, asnjëherë. Kështu, Arti i të dëgjuarit është një art që po e humbasim përditë dhe më shumë. Një nga nevojat bazë të qenies njerëzore është të qënit i dëgjuar aktivisht nga të tjerët në mënyrë që, të krijohet një ndjenjë kuptimi, thellësie apo empatie. Te çdo njëri nga ne ekziston një nevojë e lartë për të qenë i dëgjuar, për të kuptuar pikëpamjet personale dhe mënyrën sesi te tjerët përreth nesh konceptojnë gjërat. Të tregojmë historitë, ngjarjet e jetës sonë dhe impaktin e tyre në identitetin tonë, në mënyrë që të kuptojmë perspektivat sesi të tjerët shohin botën dhe se si krijojnë marrëdhënie ndërpersonale. Të qenit i dëgjuar apo të ndjerit se sado përpiqesh të shprehesh botëkuptimin tënd, nuk po kuptohesh nga të tjerët është një nga çështjet më thelbësore problematike në dinamikat familjare, marrëdhëniet sociale, mjediset e shkollës apo ato të punës.

    Ai ose ajo që dëgjon zërin e shoqes apo shokut, zërin e gruas ose bashkëshortit, zërin e fëmijës së vet dhe nuk arrin të dallojë mesazhin që përcjell toni i zërit të tyre: “Më ndihmo”,“Kujdesu për mua”, “Jam këtu, më kushto vëmendje”, ka dëgjuar por realisht nuk ka kuptuar. Në momente apo situata të tilla nga thellësia e shpirtit të vjen të bërtasësh: “Sikur dikush të më dëgjonte”! Problemi qëndron në faktin se nuk dëgjohet për të kuptuar tjetrin, por dëgjohet për të reaguar ndaj materialit që ai komunikon. Kështu, ne supozojmë, gjykojmë, vlerësojmë, nxjerrim konluzione apo japim këshilla. Ku nevoja e personit përballë është thjesht ti kushtosh vëmendje, ta dëgjosh dhe të përpiqesh ta kuptosh duke qenë aktivisht aty për të.  

    Kjo pasi çdo individ komunikon dhe shprehet bazuar në historinë e tij personale, eksperiencat, impresionet, besimet dhe vlerat vetjake. Kur ky person flet, është ai ose ajo që po flet dhe jo një gjenerator mekanik fjalësh pa kuptim. Pas fjalëve të tij është një qenie njerëzore, i cili jeton dhe dashuron, mëson dhe fal, qesh dhe qan.

    Të dëgjosh kërkon që të jesh human. Kërkon që të ulesh përballë tjetrit, të harrosh veten me perceptimet vetjake për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që të krijosh një mjedis kuptimplotë me tjetrin. Kjo pasi nuk mund të jesh një dëgjues i mirë dhe sërish të kesh të drejtë. Si dhe ekziston një diferencë e madhe mes të dëgjuarit tjetrin dhe të presësh radhën për të komunikuar pikëpamjen tënde.  Kështu që, Just listen!