• Shqip
  • English
  • E enjte, 17 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Bukuri Lifestyle Modë Nën lupën e Stela Sallakut Të gjitha

    Mbretëresha Letizia që ka thyer të gjitha tabutë e veshjes në Pallatin Mbretëror


    Nga Stela Sallaku/ Letizia Ortiz Rocasolano ka historinë tipike të princeshave që dëgjojmë kur jemi të vogla. Vajza që takon princin prej vërteti dhe sot është mbretëresha e Spanjës, ka dy vajza shumë të bukura, Leonor është 12 vjeçe dhe Sophia 10. Gjatë gjithë mbretërimit të saj bashkë me Mbretin Felipe, ish-gazetarja Letizia dhe spikerja e famshme e lajmeve, është shndërruar në një ikonë stili dhe mode për Spanjën. Më bëri shumë përshtypje veshja e saj, në meshën që u ngrit dje me rastin e Pashkës në kishën Katolike në Mallorca. Ndryshe nga Kate Middleton, e cila do kish zgjedhur një fustan me pala dhe bust të ngushtë, por kurrsesi pantallona.

    (Foto nga Instagram)

    Letizia i “thyen” rregullat duke zgjedhur pantallonat me bel shumë të lartë, kombinuar me këmishë me pika dhe jakë zero. Detaji i fluturave tek mënga i jep ëmbëlsi gjithë veshjes, si dhe kombinohet këndshëm me detajin e butonave të floririt tek pjesa anësore e pantallonave. Këpucët e zeza me majë zgjasin siluetën, duke qënë se pantallonat kanë prerje të drejtë.

    (Foto nga Getty)

    Për t`i dhënë dritë veshjes, ka zgjedhur një çantë pink dekoruar me rrip gjysmë floriri dhe gjysmë lëkure. I gjithë look-u përfundon me vathët me perlë të cilët nuk mungojnë në gardërobën e mbretëreshave.

    (Foto nga Getty)
    (Foto nga Instagram)

    Letizia i beson Carolina Herrerës në daljet e saj në publik. Njihen punimet e strukturuara të venezuelianes, si dhe nuancat e së kuqes vibrante. Dantellat e qëndisura imët me punim dore janë një tjerër detaj të cilin e preferon shumë. Së fundmi dua të shtoj se xhinset nuk janë dukur asnjëherë kaq bukur se sa tek mbretëresha 44-vjeçare, e cila di t`i shtojë perlat vetëm aty ku është e nevojshme. Kam prezantuar kështu një nga rubrikat e reja, e cila do quhet “Vishu si princeshat”, në të cilën do njihemi me monarkët më me stil sot për sot.

    Sot Letizia ka ditëlindjen, mbush 47 vjeç, por vitet për të janë thjesht numra. Elle ka zgjedhur këtë foto të saj.  /Tiranapost.al

     

     

    (Foto nga Instagram)

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]