Aktualitet

Mbledhja me dyer të mbyllura, prokuroria nuk jep prova konkrete kundër Tahirit

Në mbledhjen me dyer të mbyllura që u zhvillua sot në Këshillin e Mandateve, prokuroria ka paraqitur, sipas saj, një sërë provash mbi përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës të bandës së Habilajve.

Por sipas Report TV, fillimisht prokurorët kanë paraqitur si provë dosjen e Gjykatës së Katanias, që prej tre ditësh është bërë publike. Gjithashtu kanë paraqitur disa përgjime të zhvilluara në Shqipëri, ku në asnjë moment nuk përmendet Saimir Tahiri. Për këtë prokurorët thanë se përmenden emra të zyrtarëve të rëndësishëm të policisë, ndërsa deputetët socialistë kanë thënë se seanca ishte për Saimir Tahirin dhe jo për gjithë implikimin e policisë në këtë çështje.

Prokurorët po ashtu gjatë seancës me dyer të mbyllura i kanë thënë anëtarëve të Këshillit të Mandateve se implikimi i Saimir Tahirit konstatohet jo direkt në këtë trafik. Ata kanë theksuar se implikimi është indirekt, duke qëndruar në rol pasiviteti dhe jo me veprime konkrete.

Report TV raporton se në seancën me dyer të mbyllura prokurorët i thanë Këshillit të Mandateve se ata janë duke biseduar me autoritet italiane që disponojnë filmime të këtij grupi kriminal. “Nuk dimë ende se kush personazhe janë filmuar me Habilajt, por autoritet italiane na kanë konfirmuar se do na e venë shumë shpejt në dispozicion”, kanë deklaruar prokurorët./Tiranapost.al