Aktualitet Te gjitha

Mbështetje Shqipërisë nga parlamenti gjerman në procesin e integrimit europian


Gjatë një takimi të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj  me Sekretarin e Përgjithshëm të Bundestagut Horst Risse, u trajtua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe çështje të bashkëpunimit mes dy parlamenteve. Horst Risse konfirmoi mbështjen e parlamentit gjerman në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe ofroi ndihmën dhe bashkëpunimin e parlamentit gjerman në procesin e reformimit dhe përmirësimit të shërbimeve të parlamentit shqiptar.

Nga ana tjetër Gjonçaj vlerësoi bashkëpunimin aktual, theksoi sfidat e shtetit shqiptar në kuadër të integrimit europian. Ai nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së parlamentit gjerman në procesin e negociatave.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Gjonçaj bashkë me këshilltarë të shërbimit legjislativ, përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Integrimit pranë Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të OSBE-së në Tiranë, zhvilluan vizitën tri ditore në Gjermani me qëllim forcimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve, për përmirësimin e shërbimeve administrative të Kuvendit.

Sipas njoftimit zyrtrar, delegacionit shqiptar iu prezantua procesi legjislativ gjerman, si dhe evoluimet dhe sfidat e Bundestagut dhe administratës së tij.

Në takim u shkëmbyen përvojat mes të dy parlamenteve, sa i takon procedurave, instrumentave dhe roleve të shërbimeve të Kuvendit në ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për deputetët dhe parlamentin. Së fundmi, delegacioni zhvilloi një vizitë në sallën plenare, si dhe në televizionin parlamentar të Bundestag-ut Gjerman.. Për Tiranapost.al Elisa Bajrami.