Art dhe Kulturë

Matt Groening, krijuesi i “The Simpsons”: Parashikova gabimisht fitoren e Trump, Homeri mban emrin e babait tim

Intervistë krijuesit të Homer Simpson, personazhit kryesor të serialit më të suksesshëm televiziv që këtë vit nis sezonin e tridhjetë. “Parashikova fitoren e Trump, por sot as unë nuk qesh dot me të”. E më pas flet për forcën e librave: “Historitë letrare më kanë interesuar gjithmonë më shumë se seritë televizive. Gjithmonë më ka magjepsur ideja që këto libra krijonin në kokën time filma të cilët vetëm unë mund t’i shihja.”
Matt Groening, krijuesi i “The Simpsons”: Parashikova gabimisht

Megjithëse thotë se jep rrallë intervista, e madje shumicën kundër dëshirës së tij, në telefon Matt Groening është shumë llafazan. Ndoshta emri nuk ju kujton asgjë, por nëse themi se është krijuesi i serisë më të suksesshme televizive “The Simpson”, me siguri në mendje do t’ju vijnë plot pyetje për t’i bërë, duke nisur nga parashikimi më i pabesueshëm për fitoren e Trump në zgjedhjet amerikane. Nga zyra e tij në Kaliforni i përgjigjet pyetjeve të gazetarit Martin Scholz të gjermanes “Die Welt”.

Zoti Groening, keni thënë se gjermanët dhe norvegjezët janë ndër popujt me më pak humor në historinë e njerëzimit. E çuditshme, duke qenë se babai juaj është gjerman dhe mamaja juaj me origjinë norvegjeze.

E kam thënë, por ka qenë një batutë për paraardhësit e mi. Nëse mund t’ju qetësojë, po ju them se ka shumë gjermanë dhe norvegjezë me sens humori. Me thënë të drejtën asnjë emër s’më vjen tani në mendje, por jam i sigurt që janë shumë.

Me siguri babai juaj ju ka thënë batuta në gjermanisht që nuk i keni kuptuar. Nëse jo, si e keni krijuar këtë bindje?

Babai im është rritur në Kansas (shtet në SHBA), në një familje të krishterë ku flitej shumë gjermanisht. Edhe ai vetë fliste gjermanisht deri sa shkoi në shkollë. Fraza që ju cituat i përket një kujtimi fëmijërie, teksa po shihja një album me fotot të vjetra të gjyshërve të mi. Më goditi fakti se asnjë, në asnjë foto, nuk qeshte. Dhe ndërkohë që unë i shihja, babai im duke më treguar me gisht filan e fistek të afërm, më thoshte “Oh, sa gallatë ishte ky!” Unë shihja fotot dhe me gjithë vullnetin e mirë, nuk arrija ta imagjinoja një gjë të tillë. Por nga ana tjetër babai ishte me të vërtetë një tip gallatë: ishte regjisor, karikaturist dhe skenarist. Ka pasur një influencë shumë të madhe tek unë.

Është e vërtetë që personazhit tuaj më të famshëm, Homer Simpson, i keni vënë emrin e babait tuaj?

Po.

Keni dizenjuar Homerin, ashtu si gjithë krijesat tuaja, me sytë rrumbullakë dhe nofullën e dalë.

E kam zhvilluar këtë stil vizatimi qëkur isha 12 vjeç. Pse? Sepse njerëzit me sy të dalë dhe me nofull të madhe më bënin të qesh. Që atëherë kam ruajtur këtë stil. Jua them sinqerisht, nuk vizatoj dot ndryshe.

Simpsonat jetojnë në realitetin tonë, ndërsa në serinë e re televizive “Disenchantment” ngjarjet zhvillohen në Mesjetë, ku merrni motive nga “Kryezoti i Unazave”, “Hobbit” dhe përrallat e vëllezërve Grimm. Keni bërë edhe karikaturat e “Game of Thrones”.

Është e vërtetë që më kanë pëlqyer të tre filmat që ju cituat. Por ideja e “Disenchantment” më erdhi ndër mend rreth dhjetë vite më parë, kur nisa të rilexoj të gjithë librat fantastikë të fëmijërisë, që nga romanet e Tolkien e të gjithë me radhë. Historitë letrare më kanë interesuar gjithmonë më shumë se seritë televizive. Gjithmonë më ka magjepsur ideja që këto libra krijonin në kokën time filma të cilët vetëm unë mund t’i shihja.

Që në vitin 2000 në një seri të “Simpson” parashikuat se Donald Trump do të bëhej president i Shteteve të Bashkuara. Në një vizion të së ardhmes, Lisa Simpson është presidentja amerikane në vitin 2030 dhe akuzon paraardhësin e saj Trump se e ka lënë vendin në mëshirë të fatit. Njerëzit po bëjnë llogaritë: sipas këtij skenari, Trump i bie që të fitojë edhe një mandat tjetër.

Puuuuh, unë edhe tani jam i çuditur se si arriti të fitojë këtë mandat. Parashikim ose jo, më besoni, ngjarjet reale më kanë kapur gjithmonë gafil. Sipas meje, nuk besoj se ky president mund të zgjasë shumë.

Pak përpara zgjedhjeve deklaruat se në çdo rast Trump si president do të ishte shumë stimulues për komikët.

Por në të vërtetë po lodhem gjithmonë e më shumë për të nxjerrë materiale komike nga ajo çfarë po ndodh. Disa transmetojnë vazhdimisht parodi për Donald Trump. Shumë moderatorë të talk-show dhe transmetimeve të mbrëmjes nuk lodhen kurrë se shigjetuari Trump dhe e bëjnë në mënyrë shumë inteligjente. Por nuk e di se sa kjo gjë mund të jetë burim frymëzimi. Trump ka shkatërruar historinë amerikane. Nuk e di se çfarë do të shkruhet në të ardhmen në libra për këtë epokë. Ndoshta do të gjejmë fraza si kjo: “Amerikës i iku mendja, ra pre e çmendurisë për katër vjet.”/Artikulli origjinal është botuar në “Die Welt”. Shqipëruar nga Erjon Uka