• Shqip
  • English
  • E premte, 6 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Botë Të gjitha

    Mashtrues, paranojak, i çmendur, normal dhe shtrigë! “Tiranapost” sjell në shqip artikullin e “The Guardian” për secilin politikan, me emra!


    Një politikan thuhet të kalojë gjysmën e jetës duke punuar me mund e djersë për të arritur majën e karrierës që mund të jetë posti i kryeministrit apo i kreut të shtetit me besimin e plotë se ai ose ajo do të bëhet simbol i ndryshimit. Megjithatë, kur ky politikan arrin majën dhe merr detyrën e lartë, asgjë nuk ndryshon dhe ai (rrallëherë ajo) kupton që kjo zyrë është thjesht si çdo tjetër dhe se pushteti i vërtetë mbetet sërish shumë larg.

    The Guardian thotë se në politikë njerëzit nuk duhet të besojnë se diku në një zyrë të nivelit të lartë qëndron një qyp floriri në pritje për tu hapur. Sipas gazetës, vjen një pikë që politikani kupton që fati i tij është të bëhet një mashtrues që fshihet pas karriges.

    Gazeta merr për shembull rastin e Tony Blair, politikanit që e nisi me vrull dhe plot premtime për ndryshim detyrën e kryeministrit të vendit por dështoi në arritjet e tij.

    Blair nuk është i vetmi shembull i një politikani paranojak i cili për dështimet e tij fajëson dikë tjetër ose edhe hamendëson teori konspirative që pengojnë punën e tij.

    Shumë politikanë, anë e mbanë botës, kanë pasur momente paranojake kur kanë besuar në praninë e ‘forcave të errëta’ që pengojnë suksesin e tyre. Ama, vetëm njëri prej tyre e bëri paranojën filozofi qeverisëse dhe ky është Donald Trump. Pas çdo akuze që i bëhet atij, Trump justifikohet duke e përshkruar veten si një viktimë e përpjekjeve për të minuar autoritetin e tij.

    Kjo është vetëm një nga rreziqet e një personi narcizist që merr frerët e pushtetit por nuk është aq i fuqishëm sa mendon, thotë the Guardian. Sipas gazetës, nga të gjithë presidentët e kohëve moderne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton ishte më i zgjuari. Oreksi i tij për informacion dhe pikëpamje të reja ishte i jashtëzakonshëm. Ai nuk e frenonte dot zgjuarsinë që manifestohet në dhomën ovale. Por zgjuarsia nuk është domosdoshmërisht faktor për të qenë një kryetar shtetit.

    Ka raste kur një njeri nga klasa e mesme ia del më së miri të bëhet një lider i klasit të parë. Hapi i parë i një lidershipi të mirë është që të jesh i ndërgjegjshëm për atë që di dhe ta kuptosh se ku dhe për çfarë të hyn në punë.

    Kthehemi sërish tek Donald Trump, të cilin gazeta e përshkruan si një shovinist dhe një sharlatan që nuk pyet për kufinjtë dhe që është i gatshëm të thotë dhe të besojë çdo gjë që i del nga goja. Ai sillet sikur presidenca është thjesht një mision apo një punë tjetër dhe se ai nuk i detyrohet askujt asgjë e aq më tepër nuk ka përse të sillet sipas rregullave të Shtëpisë së Bardhë.

    A do të thotë kjo se Trump nuk është mendërisht i aftë të jetë president? Pretendimet se është mendërisht i paaftë e kanë shoqëruar çdo ditë që nga marrja e detyrës. E kanë quajtur ‘idiot’, ‘sharlatan’, ‘kalama’ madje dhe të ‘trashë.’ Psikologët kanë hequr dorë së analizuari sjelljen e tij dhe kanë arritur në konkluzionin se: Trump-in e ka lënë mendja. 100 vjet më parë, Maks Ueber argumentoi se çmenduria nuk është një nënprodukt i rastësishëm i një posti të lartë. Sipas tij, çmenduria është pjesë e pandashme e pushtetit. Presidentë e kryeministra në këtë botë përballen çdo ditë me barrën e rëndë mendore të përgjegjësive politike. Liderët e kohëve modern kanë në duart e tyre jetët e miliona njerëzve por nga ana tjetër, nuk mbajnë dot nën fre bashkëpunëtorët më të afërt. Është normale të të ikë mendja nga një kontrast i tillë, thotë Ueber duke shtuar se lidershipi është një betejë e vazhdueshme mes rregullave të përgjegjshmërisë politike dhe pasojave të papritura.

    Deri më tani, lideri që ka qenë më ‘në rregull nga trutë e kokës’ është Barak Obama. Ai e ruajti toruan edhe kur u vu në shënjestër të provokimeve nga më mizoret. Ai ruajti fort lidhjet me familjen dhe dinte të vendoste ekuilibrat mes punës dhe kohës për veten. A mos vallë ishte Obama më i shëndetshëm mendërisht se sa kërkon një post aq i lartë? Edhe gjatë fushatës presidenciale, Obama zgjodhi të mos merrte vendime impulsive dhe respektonte rivalët e tij. Trump nga ana tjetër i përqeshi, i vuri në lojë dhe shpiku një mal me gënjeshtra kundër tyre. Të njëjtën gjë e bën edhe sot, sipas the Guardian. Këtu futet në lojë qëndresa dhe rezistenca, një nga elementët kryesorë që ruajnë figurën e liderit. Trump njihet si politikan rezistent, me oreks të lartë për të folur në podium. Suksesi i tij politik matet nga numri i kundërshtarëve të shkatërruar pavarësisht aleancave. Nëse llogarisim këtë, atëherë Trump është padyshim presidenti më i suksesshëm në historinë e Amerikës moderne.

    Ajo që e dallon Trumpin nga të tjerët është se frustrimin personal ai e kthen në energji për programin politik. Presidenca e ka zmadhuar ndjeshëm dëshirën e tij për tu ankuar e për tu viktimizuar. Sigurisht që çdo president apo kryeministër gjendet në një periudhë të tillë ku ndihet viktimë pavarësisht se është njeriu më i fuqishëm i kombit. Ndryshe nga Trump, liderë të tjerë si Blair, Obama, Theresa May, Bill Clinton e të tjerë ishin të ndërgjegjshëm që viktimizimi është fatal për autoritetin politik. Nga ana tjetër, të gjithë të lartpërmendurit kanë qenë në një mënyrë ose një tjetër liderë populistë. Paradoksi që i bashkon ata është premtimi për tu dhënë pushtet njerëzve dhe akumulimi i pushtetit në duart e tyre dhe jo tek populli.

    Ka shumë pretendime që thonë se karakteri i udhëheqësit të vendit përcakton karakterin e democracisë e ndoshta kjo është arsyeja që sipas the Guardian, çdo popull udhëhiqet nga politikanët që meriton.

    The Guardian sjell në kujtesë momentin e vdekjes së Margaret Thatcher, e cila ka qenë varianti më i përaftërt i një udhëheqëse të fortë në Britaninë e Madhe. Në vitin 2013, kritikët e saj shpalosën entuziazmin e tyre në rrjetet sociale duke shkruar: “ Shtriga vdiq.” Në këto kohë, njerëzit nuk duhet t’i tremben kthimit të ‘shtrigave’ të së shkuarës por hakmarrjes së ‘magjistarëve’ të pushtetshëm që janë të frustruar në zyrat e tyre./ Burimi The Guardian/ Tiranapost.al

    *Nuk lejohet publikimi në portale të tjerë. Përkthimi në shqip është punë me mund e gazetarëve tanë. Editori

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post