Aktualitet

Marrëveshje finale Kosovë-Serbi në 2020-n! Vuçiç: Kam 7 vite që e dëgjoj, nuk është çështje dëshire

Marrëveshje finale Kosovë-Serbi në 2020-n! Vuçiç:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u shpreh se nuk s’mund të ketë diskutime politike për ‘statusin e Kosovës’ pa u hequr taksa 100 % ndaj mallrave serbe. Ai foli për gazetarët në Mynih, pas përfundimit të takimit ku u nënshkruan dy Letra Mirëkuptimi Prishtinë-Beograd.

“Ne mund të diskutojmë çështje që i përkasin avancimit ekonomik, nuk kemi problem me këtë gjë, por ne nuk do të diskutojmë për statusin derisa nuk hiqet taksa. Kjo është, dhe ne po presim që taksa të hiqet”, u shpreh Vuçiç, sipas mediave vendase.

Gjithashtu ai u përgjigj edhe për deklaratën e bërë nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se shpreson që marrëveshja finale Kosovë-Serbi të arrihet përgjatë këtij viti.

Për këtë deklaratë, Vuçiç tha: “Për 7 vjet e kam dëgjuar një qëndrim të tillë. Nuk varet nga dëshirat politike, por në realitetin politik dhe dëshirën e shqiptarëve për të diskutuar rreth kompromisit”.

Thaçi tha më herët për gazetarët në Mynih:

“Dua të shpresoj që ky vit mund të jetë viti që definitivit mund të arrihet marrëveshja paqësore mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që ka vullnet që kjo të diskutohet kjo mundësi edhe në Prishtinë edhe në Beograd. Por këtë rast të një fokusit të jashtëzakonshëm të presidentit Trump dhe administratës së SHBA-së duhet ta shfrytëzojmë dhe ta ruajmë. Nëse mbesim me adresë kah Brukselit rreth këtij procesi, atëherë do të humbim jo vite por dekada, dhe do të mbesim një vend i izoluar. Por dua të shpresoj që do të jetë një proces i koordinuar mes Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian”.

/Tiranapost.al