Aktualitet

Maqedonia voton sot për pushtetin e ri lokal

Sot në Maqedoni po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin e ri lokal në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit vendor, i cili në përbërjen e tij ka dhjetë komuna, dy prej të cilave janë me shumicë shqiptare.

Të drejtën e votës e kanë 1.814.644 qytetarë, të drejtë që mund ta realizojnë në 3480 vendvotime.

Në garën për të parin e komunës marrin pjesë 260 kandidatë të 19 partive politike dhe të koalicioneve të ndryshme përfshirë edhe kandidatë të pavarur.

Beteja kryesore zhvillohet mes dy blloqeve politike maqedonase dhe shqiptare; tek partitë maqedonase mes LSDM-së së kryeministrit, Zoran Zaev në pushtet dhe VMRO DPMNE-së opozitare të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar kishin një rezultat thuajse të barabartë, me dy mandate më shumë në favor të partisë së ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit.

Dy partitë forcat i kanë përqendruar në Shkup, që përbën thuajse gjysmën e trupit zgjedhor, por edhe në qytetet tjera më të mëdha si në Manastir, Kumanovë, Prilep, Shtip, Strumicë dhe Ohër.

Tek partitë shqiptare beteja zhvillohet mes BDI-së që është në pjesë e pushtetit qendror dhe dy partive opozitare Lëvizjes Besa e PDSH-së, por edhe Aleancës për Shqiptarët e cila megjithëse është në koalicionin qeveritar edhe ajo në këto zgjedhje sfidon BDI-në./Copyright Tiranapost.al/ Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]