Aktualitet

Mandati për formimin e qeverisë/ Kurti anulon takimin me Thaçin: Nuk ndodhem në Prishtinë

Mandati për formimin e qeverisë/ Kurti anulon takimin me

Albin Kurti nuk do të marrë sot mandatin  e kryeministrit dhe për formimin e qeverisë së re nga Presidenti Hashim Thaçi. Në një njoftim të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje saktësohet se, Kurti ndodhet jashtë Prishtinës dhe e ka të pamundur të takohet me Presidentin.

“Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takojë Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, thuhet në njoftim.

Në ftesën që iu dërgua nga Thaçi Kurtit sot shkruhej se, ka 15 ditë kohë për të njoftuar qeverinë e re, e cila duhet të formohet në koalicion me një parti tjetër, për të siguruar 61 votat e nevojshme në Parlament.

Ditën e djeshme u betuan deputetët e rinj, ndërkohë që Glauk Konjufca nga Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Parlamentit.

Marrëveshja mes Kurtit dhe Isa Mustafës nuk është konkretizuar akoma për shkak të pretendimeve për postin e Presidentit, që kërkohet me ngulm nga LDK-ja./ Tiranapost.al