SPORT

Man.Utd trondit Chelsea duke e mundur 2-0

Në fund Man.UTD nuk do të fitojë titullin kampion në Premier League, por gjithsesi Djajtë e Kuq mund të kenë patur një rol vendimtar në fatet e sezonit, pas fitores 2-0 në “Old Trafford” ndaj Chelsea-t të Contes, që sheh tashmë Tottenhamin vetëm 4 pikë larg.

Në teatrin e ëndrrave ishin ëndrrat e bluve të Londrës për titullin që morën një goditje, e cila sigurisht nuk është se trondit themelet e kryesuesve për fitimin e trofeut, por gjithsesi një lloj krisje e krijon duke i dhënë shpresë gjelave të Londrës.

Në ndryshim nga takimi i fazës së parë në “Stamford Bridge” ishte United që pati një fillim të zjarrtë, pavarësisht uljes në stol të Ibrahimovic dhe Mkhitaryan, teksa mori epërsinë me Markus Rashford pas vetëm 7 minuta lojë.

Pa Cortois në portë, që u dëmtua në një ndeshje ekzibicioni basketbolli, Chelsea kishte një siguri më pak mes dy shtyllave por gjithsesi lojën skuadra e Contes e humbi në mesfushë ku Djajtë e Kuq u shfaqën superiorë.

Përvec lojës më të mirë, United pati dhe fatin me vete si në rastin e golit të Herrerës që përfundoi pas një devijimi në rrjetën e Begovicit. Ky gol i vuri kapak shumë shpejt takimit me skuadrën e Mourinhos që kontrolloi me lehtësi ndeshjen deri në fund duke mundur pas plot 12 ndeshjes Chelsean që regjistroi zero goditje në kuadrat në fund të këtij 90 minutëshi.