Aktualitet

Majlinda Bregu: Opozita në vend të gëzohet mërzitet se s’dinë, as s’duan...

Esencë Editori/ Në një intervistë dhënë për Citynews, Majlinda Bregu flet gjerësisht për Negociatat, rrugën që hap anëtarësimin e Shqipërisë. Ish ministrja e Integrimit në kohën e PD për 7 vite është nga të paktat figura politike që njeh mirë procesin dhe sot nga pozitat e sekretares së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal flet për pozitivitet, detyrimet dhe Europën si të vetmen shtëpi të përbashkët.

Çfarë nënkupton vendimi i 28 qershorit i BE për Shqipërinë?

Majlinda Bregu: Vendimi i Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE, konfirmoi: rrugën e hapur të perspektivës europiane për Shqipërinë dhe Maqedoninë, një datë si dhe instrumentat e nevojshëm për të përmbushur detyrat paraprake për hapjen e negociatave në Qershor 2019.

Procesi i parë që kryhet pas vendimit për hapjen e nevociatave është procesi “screening”- ekzaminimi i nivelit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE. Është  faza përgatitore e çeljes së negociatave gjatë së cilës përcaktohen edhe fushat problematike për secilin nga 35 kapitujt që do të negociojmë. Pra një kapitull hapet në bazë të “screening” – ekzaminimit, dhe mbyllet kur janë plotësuar problemet që “screening” ka evindentuar.

Këte detyrë Shqipëria do ta fillojë menjëherë pa pritur Qershorin 2019. Ky mund të mos jetë element i rendësishëm për artikulim a manipulim politik, por është i rëndësishëm se i siguron administratës shqiptare vazhdimësinë pa ndërprerje të këtij procesi. Vendit i jep  “vettingun” e legjislacionit në fuqi:)  Procesi “screening” zakonisht zgjat 12 muaj, pra korespondon me Qershorin 2019.

Negociatat u hapën apo jo?

Majlinda Bregu: Nuk kemi hapje të negociatave, por datën për hapjen potenciale të tyre dhe detyrat të cilat teknikisht duhet të fillojnë pas hapjes zyrtare të negociatave, Shqipëria do t’i fillojë menjëherë.

Pra, nuk kemi humbje kohe, as do të jetë një vit pauzë, por përgatitje, shoshitje e detyrave, formalizim i ekipit negociator edhe pse hapja formale pritet të jetë në Qershor 2019.

Dhe të lutem të paktën jini ju të medias të qartë. Nuk e pres këtë nga ata që as e kuptojnë, as shohin dot larg hundës së tyre. Personalisht kam përsëritur në çdo dalje publike, prej këtij fillim viti që Qershori 2018 është i pamundur për çelje negociatash. Duhet të jesh miop e ta marrësh mendjen tënde për kufirin e botës, që të refuzosh të lexosh se në ç’gjendje ankthi është sot Europa dhe sa e vështirë është të flitet për zgjerim të saj, kur në çdo vend themelues të saj po rriten në numër e degjohen më shumë ata që nuk e duan Europën me më shumë vende anëtare. Sikurse, dhe këtë e them prej vitesh. Shqipërisë do të duhej t’i ishin hapur negociatat me kohë si një garanci për monitorim të çdo etape, reforme të kryer apo te pakryer, shkelje të ligjit e probleme madhore që ne kemi me sundimin e ligjit, konfliktin politik, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit e  plot probleme të tjera.

Po pas një viti çfarë do të ndodhë?

Majlinda Bregu: Pas 1 viti Shqipëria do të ketë përfunduar procesin screening dhe pas vendimit zyrtar për hapjen e negociatave mund të fillojë direkt hapjen e kapitujve negociues.

Çfarë përfitojnë shqiptarët nga hapja e negociatave?

Majlinda Bregu: E para negociatat janë fazë e procesit të integrimit  dhe jo thesar i gjetur.  Të paktën prej momentit të nënshkrimit  MSA ka institucionalizuar një kontratë me BE. Prandaj, prej ligjeve më të mira, tek reformat edhe kur politika i ka pranuar me pahir, ku ka rrugë, ujësjellësa, kanalizime, shkolla, port, edhe burg më të mire, e mbi të gjitha levizje të lirë, pa viza, mundësi për biznesin e investimet e huaja, siguri kombëtare dhe bashkëjetesa në një rajon pa lufte, janë përfitime të këtij procesi.

Opozita thotë se janë shtuar kushtet e BE, si qëndron e vërteta?

Majlinda Bregu: I gjithë procesi i integrimit bazohet në kushtëzim të vazhdueshëm. Detyrat për Shqipërinë ose kushtet po të doni, do të jenë në një progresion rritës dhe madje do të vijojnë edhe pas anëtarësimit me qëllim arritjen dhe mbajtjen e standarteve europiane në çdo fushë. Rumania dhe Bullgaria janë anëtarësuar ne 2007 dhe akoma është në fuqi mekanizmi i kontrollit dhe verifikimit post anëtarësim.

Për një opozitë serioze shtimi i kushteve apo detyrimeve ndaj qeverisë duhet të jetë lajmi më i mirë. Nese nuk arrin vetë të kontrollojë Qeverinë, ca se s’dinë e ca se s’duan, le të falënderojnë institucionet europiane dhe vendet anëtare për monitorimin e shtuar ndaj Qeverisë. A nuk ishte ky motivi kryesor i lobimit pro për çeljen e negociatave?!/ Tiranapost.al.