Aktualitet

Majko iu përvishet demokratëve për rendin: Meqë i dini kriminelët, pse nuk po vepron ministri tuaj

Pandeli Majko u ka kthyer një herë e mirë përgjigje akuzave që vijnë nga demokratët në lidhje me krimin dhe luftën kundër trafikut të drogës.

I ftuar në studion e emisionit “Top Story”, Majko iu drejtua kandidatëve demokratë Enkeleid Alibeaj dhe Ervin Salianji duke u kujtuar se në krye të Ministrisë së Brendshme tashmë është një emër i propozuar pikërisht nga selia blu.

Majko tha se akuzat e demokratëve janë të pabaza pasi sipas socialistit, prej një muaji që Dritan Demiraj, nuk ka asnjë të arrestuar të ashtuquajtur “peshq të mëdhenj” të artikuluar nga demokratët në këto 4 vite.

“Aktualisht në zyrën e Ministrisë së Brendshme është një ministër i propozuar nga ju. Ja keni çuar emrat atij personit? Jo pra! E pra ju informacionet i keni. Ministri juaj le të veprojë.”  tha Majko

Më tej socialisti tha se problemi i vërtetë në Shqipëri është lirimi i kriminelëve nga gjyqtarë të korruptuar. Prandaj, siç nënvizoi Majko, vëmendja e PS-së por edhe e faktorit ndërkombëtar është e gjitha tek reforma në drejtësi.

“Vazhdojmë me këtë retorikën e plehut politik se më pëlqeu shumë. Ne nuk duhet të merremi vetëm me policë. Këtu duhet të merremi. Një kriminel i liruar është dyfish më tepër i rrezikshëm. Ai ka korruptuar dikë më lart. Dhe ne e kemi kuptuar këtë. Dalim tek reforma në drejtësi. Ajo pikërisht këtë do të bëjë të mundur. Që nesër krimineli të mos dalë në rrugë dhe t’i qeshë policit. Reforma e drejtësisë është momenti më kapilar. Madje BE po thekson se nuk ka integrim të Shqipërisë pa reformë në drejtësi. Tani ose ata janë naivë dhe nuk e kuptojnë që problemi është tek polici i thjeshtë, ose ne kemi një problem në diskursin politik. Pra, krimineli është liruar dhe riliruar duke bërë që polici i thjeshtë të mendojë për kë sistem po punoj unë?” theksoi Majko

Deputeti socialist reagoi pas akuzave të bëra nga demokratët Salianji dhe Alibeaj, në debatin politik mbi rendin dhe sigurinë në studion e “Top Story”, në kuadër të zgjedhjeve të 25 Qershorit. E.C/ Copyright Tiranapost.al