Art & KulturëTe gjitha

Lulzim Zeqja: Teatri i Ri, frymëzim për të gjithë


Është ndër të vetmit aktorë që nuk ka munguar në asnjë takim mes artsitësh, arkitektësh a urbanistësh këto kohë debatesh për Teatrit Kombëtar. E kemi hasur shpesh, aty në rresht të parë, në qendër të tavolinës, duke dëgjuar heshturazi çdo fjalë që është thënë; pro apo kundër, për shembjen a ngritjen, restaurimin a ndërtimin e një Teatri të Ri. Vetë nuk ka folur, jo se nuk e ka një mendim, por sepse ashtu e ka zakon; fjala e tij, janë rolet e punuara me aq dashuri në skenë. Ka interpretuar së fundmi në rolin e Baburit, një nga shfaqjet më të mira të teatrit këto vite “Rojet e Taxhit”, e më pas rolin e Henrit në dramën “Frankeshtajn” me regji nga Ilir Bokshi.

Është Lulzim Zeqja, një nga aktorët më të mirë të momentit, që bën pjesë te brezi që do e trashëgojë Teatrin Kombëtar, ndonëse i ka kaluar mbi 17 vjet në skenë. E gjetëm për herë të fundit në përurimin e “ArTurbinës”, një tjetër institucion arti që i shtohet kryeqytetit dhe në bisedë e sipër na thotë: “Unë e pashë Turbinën dhe besoj që është një nga sallat më të mira alternative që ka Tirana sot. Besoj që do të jetë një vend, i cili do të sjellë produkt më cilësor dhe do të afrojë një publik të ri në moshë”.

Lulzim Zeqja është nga ata aktorë që ndryshe nga të tjerët, nuk i pëlqen të flasë për veten, të përfshihet në debate a të bëhet palë thashethemesh. Pasioni për teatrin, dashuria me të cilin punon çdo rol, (qoftë kryesor a karakter) është mbi të gjitha për të. Ndaj me thjeshtësinë që e karakterizon na thotë opinionin e tij rreth debatit të Teatrit Kombëtar.

“Eshtë gjë shumë e mirë që do të kemi një Teatër Kombëtar dinjitoz për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë. Unë besoj se ka ardhur koha për një ndërtesë me parametra bashkëkohore”, thotë ai. Duke shtuar se gjithë kolegët e tij, aktorë a regjisorë qofshin, duan të punojnë në kushte më të mira. “Madje që të gjithë aktorët e regjisorët duan kushte më të mira pune. Por, edhe publiku do të ndihet më komod në një sallë dinjitoze. Gjithashtu, jam i sigurt që edhe debati që është hapur mbi çështjen e Teatrit është pozitiv, pasi ka filluar të shfaqë të gjitha problematikat që shqetësojnë komunitetin artistik. Në fakt, është hera e parë që teatri merr një vëmendje kaq të lartë në shoqëri. Teatri i ri, si çdo sallë e re për teatrin, do jetë një frymëzim për të gjithë; aktorët, regjisorët, por edhe për çdo djalë o vajzë të re që aspiron të bëhet aktor”, thotë Zeqja.

Aktualisht është një periudhë pauze në teatër, (debatet rreth Teatit Kombëtar kanë tërhequr gjithë vëmendjen) por vjeshta vjen ndryshe për Lulzim Zeqjan. E sigurt është, që do e shohim të ngjitet me një rol në teatër; paçka se në cilën sallë do të jetë.

Prononcimi i plotë:

“Eshtë gjë shumë e mirë që do të kemi një Teatër Kombëtar dinjitoz për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë. Unë besoj se ka ardhur koha për një ndërtesë me parametra bashkëkohore. Madje, që të gjithë aktorët e regjisorët duan kushte më të mira pune. Por, edhe publiku do të ndihet më komod në një sallë dinjitoze. Gjithashtu, jam i sigurt që edhe debati që është hapur mbi çështjen e Teatrit është pozitiv, pasi ka filluar të shfaqë të gjitha problematikat që shqetësojnë komunitetin artistik. Në fakt, është hera e parë që teatri merr një vëmendje kaq të lartë në shoqëri. Teatri i ri, si çdo sallë e re për teatrin, do jetë një frymëzim për të gjithë; aktorët, regjisorët, por edhe për çdo djalë o vajzë të re që aspiron të bëhet aktor. Unë e pashë Turbinën dhe besoj se është një nga sallat më të mira alternative që ka Tirana sot. Besoj se do të jetë një vend, i cili do të sjellë produkt më cilësor dhe do të afrojë një publik të ri në moshë”.

*Ky post është publikuar në Tiranapost.al