• Shqip
  • English
  • E hënë, 24 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Libra Të gjitha

    Lulja e paçelur e Hirushes kineze


    Një perandor që kërkon grua, vajza e shërbëtores që e do fshehtas dhe një garë dashurie: Ky është tregimi nga Paulo Coelho përkthyer në Tiranapost.al

    Nga Paulo Coelho/ Maria Emilia Voss, një pelegrine e Santiago de Compostela, tregon këtë histori. Rreth vitit 250 para Krishtit, në Kinën e lashtë, një princ i rajonit të Thing-Zda do të kurorëzohej perandor. Por përpara, sipas ligjit, duhej të martohej. Duke qenë se bëhej fjalë për të zgjedhur perandoreshën e ardhshme, princi do të duhej të gjente një vajzë së cilës mund t’i besonte verbërisht. Me këshillën e një të urti, vendosi të mbledhë gratë e reja të zonës, për të gjetur kandidaten më të denjë. Një shërbëtore e vjetër, që prej shumë vitesh punonte në pallat, mori vesh për organizimin dhe u pikëllua: vajza e saj e dashuronte fshehtas princin.

    Kur shkoi në shtëpi dhe ia tha vajzës, u habit kur dëgjoi se edhe ajo kishte ndër mend të paraqitej. “Bija ime, për çfarë do shkosh? Aty do të paraqiten vajzat më të bukura e më të pasura. Hiqe nga mendja këtë ide! E di që kjo gjë të bën të vuash, por mos e kthe vuajtjen në çmenduri!” Dhe vajza u përgjigj: “E dashur mama, nuk po vuaj, e aq më shumë nuk jam çmendur. E di që nuk do zgjidhem kurrë, por është rasti im i vetëm për të ndenjur pak çaste pranë princit dhe vetëm kjo gjë më bën të lumtur, edhe pse e di se fati do të jetë krejt tjetër”.

    Atë mbrëmje, kur vajza arriti në pallatin e princit, ishin me të vërtetë vajzat më të bukura, me veshjet më të bukura dhe me bizhuteritë më të çmuara. Kishin bërë gjithçka që mos t’u ikte mundësia që u ishte ofruar.

    I rrethuar nga stafi i tij, princi lëshoi sfidën: “Do t’i jap secilës nga një farë. Ajo që pas gjashtë muajsh do të më sjellë lulen më të bukur, do të jetë perandoresha e ardhshme e Kinës.” Vajza e mori farën e saj, e mbolli dhe megjithëse nuk ishte shumë e aftë në kopshtari, e punoi tokën me shumë durim dhe përkujdesje. Mendonte gjithmonë se nëse bukuria e luleve do të ishte aq e madhe sa dashuria e saj, nuk do të duhej të shqetësohej për rezultatin final

    Kaluan tre muaj dhe asgjë nuk mbiu. Vajza provoi gjithçka, foli me burrat e punishtes dhe me fshatarët, që i mësuan mënyra të ndryshme mbjelljeje, por nuk arriti asnjë rezultat. Çdo ditë e ndjente ëndrrën e saj më të largët, edhe pse dashuria e saj mbetej e gjallë si më parë.

    Megjithëse kaluan gjashtë muaj, në vazon e saj nuk kishte mbirë asgjë. Edhe pse e dinte se nuk kishte asgjë për të treguar, e vetëdijshme më mundin dhe përkushtimin që kishte treguar gjatë gjithë asaj kohe, i tha të ëmës që gjithsesi do të shkonte në pallat në ditën e caktuar. E dinte se ky ishte takimi i fundit me të dashurin e zemrës dhe nuk do ta humbiste për asnjë arsye në botë.

    Erdhi dita e pritjes. Vajza u paraqit me vazon e saj pa asnjë lule dhe pa se gjithë të tjerat kishin arritur rezultate të mira: i kishin lulet njëra më të bukura se tjetra, nga format dhe ngjyrat më të ndryshme. Më në fund erdhi momenti aq shumë i pritur. Princi hyri në sallë dhe pa çdonjërën prej pretendenteve me shumë kujdes. Pasi i pa të gjitha shpalli rezultatin dhe tregoi… vajzën e shërbëtores së tij si nusen e ardhshme.

    Të gjitha shpërthyen në protesta, duke thënë se kishte zgjedhur atë që nuk kishte qenë në gjendje të rriste asnjë lule.

    Atëherë, ai me qetësi, sqaroi sfidën. “Ajo ishte e vetmja që kultivoi lulen që e bëri të denjë për të qenë perandoreshë: lulen e ndershmërisë. Të gjitha lulet që u dhashë ishin sterile dhe nuk do të mund të mbillnin”./Përktheu Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al.