• Shqip
  • English
  • E shtunë, 20 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • My Albania Të gjitha

    Lulishte, rrugë, kënd lojërash! Shihni në foto ku ka ndodhur transformimi i radhës


    Deri pak kohë më parë, hapësira në zonën e njohur si Përroi i Gjerozës në Qesarakë, ishte një nga më të degraduarat në kryeqytet. Por, falë investimit të Bashkisë së Tiranës, ajo është transformuar tërësisht në një hapësirë model për qytetarët, duke rritur jo vetëm cilësinë e jetës, por edhe vlerën e pronës. Bashkia e Tiranës ka ndërtuar rrugën e re mbi Përroin e Gjerozës, që kufizohet nga rruga “Muhamed Deliu” dhe ajo e Teleferikut, duke e ndërthurur me zona çlodhëse, lulishte e kënd lojërash.

    Pasi inspektoi punimet, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi ndryshimin që ka pësuar Përroi i Gjerozës, i cili ka qenë një landfill urban ku të gjitha mbetjet që vinin nga pallatet derdheshin në përrua. “Sheshi ‘Skënderbej’ është shumë i bukur, edhe liqeni, Pazari, Kalaja e Tiranës, por njerëzit 90% të kohës e kalojnë në lagjen e tyre. Kur më kujtohet se si Përroi i Gjerozës ka qenë në fakt një landfill urban, ku të gjitha plehrat që vinin nga pallatet derdheshin në përrua, sot përroi kalon poshtë sheshit dhe sipër kemi fituar hapësirë, e cila përdoret sigurisht edhe për kalimin e makinave, por kryesisht është një hapësirë cilësore, dinjitoze, e gjelbër, me kënde lojrash. Këtu komuniteti mund të kalojë kohë të lirë, të shëmbejë energji me njeri-tjetrin, ku mund të shihemi dhe të ruajmë atë që është intimiteti i lagjes”, deklaroi Veliaj.

    Ai tha se investimeve të tilla nëpër lagje dhe vëmendja e treguar për fëmijët, po sjellin një ndryshim pozitiv edhe në stilin e të jetuarit në Tiranë. “Jam jashtëzakonisht i kënaqur, teksa dëgjoj gjithë harenë e fëmijëve dhe na kujton për çfarë i bëjmë këto punë në fund të ditës. Sigurisht, këtu është llaç, tulla, bar dhe kosha, por në fund të ditës është edhe një ndryshim i stilit të jetesës; kur sheh fëmijë që dalin nga shtëpitë, lënë kolltukun, playstation-in, televizorin, celularin, për të kaluar kohë me njëri-tjetrin, për t’u aktivizuar fizikisht, për të marrë ajër të shëndetshëm, më bëhet zemra mal”, u shpreh Veliaj.

    Ndërtimi i këndeve të lojërave në periferi të kryeqytetit, si në zonën e Përroit të Gjerozës, është një tjetër premtim i mbajtur i Bashkisë së Tiranës. Gjatë 40 muajve të fundit në shërbim të qytetarëve, ky institucion ka ndërtuar mbi 40 kënde lojërash në lagje të ndryshme të kryeqytetit. Veliaj siguroi se ky mobilizim për më të vegjlit dhe për hapësira çlodhëse për më të rriturit, do të vijojë edhe gjatë katër viteve të ardhshme.

    “Besoj e kemi mbajtur një premtim, që nga dita e parë, se çdo muaj do të kishim nga një kënd lojrash: kemi kaluar 40 muaj dhe kemi ndërtuar mbi 40 kënde lojërash në Tiranë. Po mobilizohemi që mandatin tjetër, të kemi edhe më shumë kënde lojrash, edhe mikro-hapësira mes pallateve”, tha më tej kreu i Bashkisë së Tiranës.

    Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen më të kujdesshëm për të mbajtur pastër mjedisin dhe për një vëmendje të shtuar ndaj hapësirave të përbashkëta. “Është shumë e rëndësishme që ta mbajmë pastër e ta mirëmbajmë! Pasaportën e ardhjes në Tiranë nuk na e jep vetëm gjendja civile, por edhe sjellja qytetare. Shoh nga fëmijët një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe entuziazmi është ngjitës, ndaj jam shumë i lumtur që kemi krijuar këtë hapësirë kushtuar fëmijëve, me shpresën që fëmijët do emancipojnë edhe të rriturit, për ta mbajtur Tiranën më të pastër, për të mos vandalizuar dhe për të mos ndotur mjedisin tonë të përbashkët”, deklaroi Veliaj.

    Ai ftoi banorët të tregohen bashkëpunues për të mirën e tyre dhe të transferojnë pa asnjë pagesë gjendjen civile në njësinë e re. Krahas përfitimit në përmirësimin e shërbimeve, Veliaj nënvizoi se banorët e kësaj lagjeje të re do përfitojnë edhe më shumë investime. “Tani që kemi një qendër të re administrative në zonën e Freskut, ish Fizikës Bërthmore dhe në Prroin e Gjerozës, do të doja të ftoja të gjithë qytetarët, që të shohim më shumë produkte të tilla, duhet të regjistrohemi këtu, se në momentin që kjo zonë u shërben 8000 banorëve, por të regjistruar janë vetëm 80, do të thotë se nuk justifikon dot investime në të ardhmen. Ndaj, lipset që të gjithë banorët, pavarësisht nga kanë ardhur në Shqipëri, të regjistrohen falas në njësi, që buxhetet të vijnë në rritje për gjithë zonën e Freskut dhe banorët e mrekullueshëm”, theksoi Veliaj.

    Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës hapi edhe zyrat e reja të Njësisë Nr. 12 duke plotësuar një kërkese të vazhdueshme të banorëve të kësaj zone në mënyrë që shërbimet të merren sa më afër dhe sa më shpejt./Tiranapost/A.C