Aktualitet

Lobimi rus në SHBA/ Sekuestrohet videoja ku Basha ‘kapet ngushtë’ për pagesat

Lobimi rus në SHBA/ Sekuestrohet videoja ku Basha ‘kapet

Detaje të reja publikohen nga çështja e lobimit rus të PD në Amerikë, për të cilën Basha me Arben Ristanin dhe financierin Ilir Dervishi janë paraqitur në prokuroi si të pandehur para disa ditësh. Mësohet se prokuroria ka sekuestruar një video ku Basha flet mbi pagesat e kryera për lobimin, flitet për një shumë prej 675 mijë dollarësh për të cilat kryetari i opozitës nuk i ka justifikuar, pra burimin se nga kanë ardhur këto para. Sipas mediave informative, në video, siç pretendon prokuroria Basha nuk është në gjendje të shpjegojë pagesat e kryera dhe jep versione kontradiktore dhe jo përgjigje konkrete.

Deri më tani, për kompaninë “Biniatta Trade LP” dimë se PD ka kryer një pagesë, atë më 24 mars 2017 në vlerën e 150 mijë dollarëve për “Stonington Strategies”, nga ku përfitimi i shërbimeve lobuese i shkonin Partisë Demokratike.

Por për çfarë videoje bëhet fjalë?

Nga kërkimet që bëmë, pasi ende prokuroria nuk ka dhënë detaje se për cilën video bëhet fjalë, rezulton se Kryetari i opozitës, ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ( 14 mars 2019) me gazetarin Arben Xhixho. Në video Basha i pyetur disa herë për pagesat thotë: “Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë”.

Kjo video ( nëse bëhet fjalë për këtë video) do paraqitet si provë në Gjykatën e Tiranës. Më poshtë ju sjellim intervistën e Bashës, dhe në fund videon e intervistës me VOA-n, (minuta dy kur pyetet për pagesat).

Zëri i Amerikës: Një kontratë e mëparshme lobimi e Partisë Demokratike me firmën Muzin Capitol Partners ka ngjallur mjaft debate. Madje në Shqipëri Partia Demokratike është në hetim lidhur me këtë kontratë. Bëhet për një pagesë prej mbi gjysmë milionë dollarësh. Firma Muzin vet ka deklaruar tre pagesa; një prej tyre ju e keni pranuar tashmë pra, 25 mijë dollarësh. Janë edhe dy të tjera, por dua të ndalem tek shuma më e madhe prej 500 mijë dollarësh, për të cilën ju jeni shprehur në Shqipëri fillimisht se është bërë nga një grup shqiptaro-amerikanësh. Më pas duket sikur ju jeni tërhequr nga kjo thënie. Cila është e vërteta e kësaj pagese prej 500 mijë dollarësh?

Lulzim Basha: E vërteta është se Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë. Ndryshe nga Partia Socialiste, e cila…

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike ka bërë një pagesë, siç thotë firma Muzin në deklaratën e saj, prej 500 mijë dollarësh.

Lulzim Basha: Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë, që e ka publike, dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë. Kjo është e vërteta…

Zëri i Amerikës: Pra, firma Muzin nuk tregon të vërtetën? …

Lulzim Basha: … E për çdo gjë tjetër ne i kemi kërkuar prokurorisë në Shqipëri dhe FBI-së në hetojnë. Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj, nuk ka asnjë para të pistë në këtë mes, ndryshe nga afera e famshme e thyerjes së ligjeve amerikane me foton me Obamën dhe me burimet e panjohura të parave, që paguan për këtë të tjerët. Partia Demokratike është tërësisht transparente, krejtësisht e hapur, kështu që kjo nuk është çështje.

Zëri i Amerikës: Firma Muzin, sipas kësaj që po thoni ju, duket se ka përdorur emrin e partisë tuaj për çfarëdo problemi që ka patur vetë. Pra, iu ka prishur juve imazhin. Pse nuk e denonconi ju këtë firmë për të pastruar emrin tuaj, sepse del emri i partisë tuaj gjithmonë?

Lulzim Basha: Aspak. Partia Demokratike i ka deklaruar gjithmonë në mënyrë transparente marrëdhëniet e saj dhe financat e saj, ndryshe nga Partia Socialiste në të kaluarën dhe në të sotmen. Por kjo është një çështje, e cila besoj se do të diskutohet dhe do të bëhet transparente më vonë. Këtu nuk ka asnjë çështje. Është një non-issue, siç i thonë në Amerikë. Partia Demokratike është e angazhuar në denoncimin e lidhjeve të krimit të organizuar me partinë në pushtet, duke përfshirë edhe pastrimin e parave dhe gjithçka për të cilën Partia Demokratike akuzohet është një manovër e dobët diversioni për të tërhequr vëmendjen dhe për të kaluar Partinë Demokratike në pozita mbrojtëse, çka nuk ka për të ndodhur./ Tiranapost.al. E.B