Politikë

Lobimi rus i PD/ Basha shmang shoqërimin me forcë, dëshmon në prokurori

Lobimi rus i PD/ Basha shmang shoqërimin me forcë, dëshmon

Lulzim Basha ka shmangur një shoqërim të mundshëm me forcë dhe është paraqitur në prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar lidhur me kontratat e lobimit të PD në SHBA para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2017.

Lideri i PD ishte ftuar që të enjten që të paraqitej në prokurori për të dëshmuar, por refuzoi të shkojë me pretendimin se fletë-thirrja ishte politike.

Të enjten, Basha i dërgoi një letër prokurorisë ku thonte se: “Për këtë arsye, çmohet e panevojshme paraqitja sipas njoftimit të ardhur për njohjen me aktet. Fakti që një ftesë e tillë vjen 6 muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike. Me thirrjen e panevojshme, keqinformuese dhe në një kohë të përzgjedhur politikisht, ju keni kompromentuar rëndë integritetin dhe paanshmërinë e hetimit u kërkojmë të distancoheni menjëherë nga qëndrime me prapavijë politike, si dhe ndaloni në të ardhmen çdo lloj përdorimi për qëllime politike të hetimi”, thuhet në letrën e kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Por pas refuzimit të Bashës, mund të aplikohej skenari i shoqërimit me forcë, gjë të cilin lideri I PD e shmangu sot duke bërë një hap pas dhe duke u paraqitur në prokurori.

Së bashku me Bashën janë thirrur edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” vitin e shkuar, mbi lobimin prej 675.000 dollarësh nga Partia Demokratike, përmes kompanisë “Stonington Strategies” të lobistit Nick Muzin, ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me qendër në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. Ky investigim nxiti tri hetime paralele: në SHBA, Skoci dhe Shqipëri, të cilat janë ende aktive.

Janë pikërisht hetimet në Skoci, ato që gjatë këtyre muajve të fundit kanë zbuluar të tjerë shtetas rusë, që fshihen pas kompanisë “Biniatta Trade LP”. Deri më tani, për “Biniatta Trade LP” dimë se ka kryer një pagesë, atë më 24 mars 2017 në vlerën e 150 mijë dollarëve për “Stonington Strategies”, nga ku përfitimi i shërbimeve lobuese i shkonin Partisë Demokratike./Tiranapost/A.C